Vrasja e Klaudio Prendit, makina e autorëve rezulton e vjedhur në Tiranë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi. Sipas burimeve të ABC News, automjeti Audi A4 me targa greke, që u përdor nga autorët e vrasjes dhe më pas u dogj, rezulton të jetë vjedhur rreth një vit më parë në Tiranë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 19 nëntorit 2024, në zonën e njohur si ‘Xhamlliku’ në Tiranë. Klaudio Prendi, 28 vjeç, u qëllua për vdekje teksa po hynte në makinën e tij, pasi kishte dalë nga një lokal ku ndodhej me miqtë. Autorët e krimit, që kishin mbërritur me mjetin Audi nga rruga e Freskut, hapën zjarr ndaj të riut, duke e goditur në kokë dhe kraharor, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja.

Shokët e viktimës dolën menjëherë nga lokali për t’i dhënë ndihmë. Ata e dërguan me shpejtësi në Spitalin e Traumës, por, për shkak të plagëve të rënda, Prendi nuk mundi të mbijetonte.

Grupi hetimor po ndjek disa pista në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Nga dëshmitë dhe analizat e disa telefonave të sekuestruar, është zbuluar se Klaudio Prendi kishte një borxh prej rreth 15 mijë eurosh, një shumë që dyshohet se mund të jetë rritur për shkak të përqindjeve të larta të interesit. Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, ka konfirmuar se i biri i kishte përmendur në mënyrë të përciptë një konflikt lidhur me borxhin, por nuk kishte dhënë as detaje të shumës dhe as të personave të përfshirë.

Një tjetër pistë hetimi lidhet me aktivitetin profesional të vetë ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili ka trajtuar çështje të ndërlikuara që përfshinin emra të njohur të botës së krimit. Ai ka dhënë disa dënime të ashpra, përfshirë burgime të përjetshme, çka mund të ketë nxitur motive hakmarrjeje ndaj tij ose familjes së tij.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje dhe për të identifikuar autorët.

SHKARKO APP