Vrasja e Klodianit/Basha: Rama çdo ditë te vendi i krimit! Heshti 3 ditë për të manipuluar ngjarjen

Vizitën e kryeministrit Edi Rama në familjen e Klodian Rashës, i vrarë nga Policia e Shtetit, kreu i PD-së, Lulzim Basha e sheh si një kthim në vendin e krimit, teksa hodhi akuza se ka pasur qëllime për ta manipuluar si ngjarje, prandaj reagoi 3 ditë me vonesë.

“Kthehet ditë për ditë te vendi i krimit, siç kthehen ata që janë bërë pjesë e krimit me neglizhencën dhe poshtërimin të gjakut të viktimës. 3 ditë rrugëve të Nju Jork në dyqanet më luksoze dhe nuk gjeti një minutë kohë për të ngushëlluar familjen e Klodian Rashës, ndërsa tani kthehet ditë për ditë te vendi i krimit. Një ditë më shumë se 25 prilli të qëndrojë, do të rrezikojë edhe lëvizja e lirë e shqiptarëve, harrojeni më integrimit. Gjuha e tij e urrejtjes nxit reagimet më negative te shqiptarët. Asnjë ndjeshmëri për vrasjen e të riut. Tre ditë heshtje, sepse mendoi se do ta manipulonte edhe këtë ngjarje. Komunikatat e policisë për dy ditë u munduan të fajësonin viktimën. Dhe Edi Rama do vazhdonte të heshtte. Ai është gati të shesë këdo për të shpëtuar lëkurën e tij, ndaj e shiti Sandër Lleshajn. Jo se reflektoi. Edhe po të shkojë 5 herë në ditë te familja e Rashës, thjesht iu tregon shqiptarëve sa i pandjeshëm është”, tha Basha gjatë konferencës me gazetarët.

Nënkryetari i LSI-së tha se të gjitha aktet e dhunës dhe sjellja barbare e qeverisë dhe policisë së shtetit do të ndëshkohen. “Asgjë nuk do të harrohet. Çdo akte dhune dhe paligjshmëri do të ndëshkohet”,- tha nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Kreu i PD-së u shpreh se largimi i Edi Ramës tashmë është një aspiratë mbarëkombëtare. Ai shtoi se qeveria po vjedhë çdo gjë që të mundet, sepse e di që është në largim dhe se anija e tij po fundoset.

“Anija e Edi Ramës po fundoset, Edi Rama po vjedh ç’të mundë, sepse po ik. 25 prilli është shumë larg për të duruar vuajtjet. Vetëm PD mund ta rrëzojë Ramën”,- u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

SHKARKO APP