Vrasja e Klodianit, Neritan Ceka: Faqe e zezë, polici që punon me muskuj, por pa tru

Sot pikërisht në ditën e Rinisë një efektiv policie qëlloi për vdekje, Klodian Rashën, një djalë 25 vjeçar vetëm pak metra larg banesës së tij.

Si e komenton politikani Neritan Ceka, i cili dikur ka mbajtur dhe postin e ish ministrit të Brendshëm të Shqipërisë?

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Ceka thotë se ngjarje të tilla si ndërhyrja për shembjen e teatrit dhe vrasja e 25 vjeçarit tregon se policia nuk është e instruktuar dhe stërvitur për një situatë të tillë

Neritan Ceka për Ora News: Kjo tregon që policia nuk është e instruktuar dhe stërvitur për një situatë të tillë. Duhet sqaruar policia se ky nuk është shtetrrethim. Janë masa që synojnë parandalimin e sëmundjeve por nuk kanë të bëjnë me kriminelët.

Sjellja e policisë që qëllon një njeri në ikje është një tregues jo shumë pozitiv për rastin, por kjo nuk mund të përgjithësohet për të gjithë policinë shqiptare, e cila për fat të keq kohët e fundit, 2 – 3 vitet e fundit është në një presion politik dhe ka një përpjekje për ta kthyer në një polici politike.

U soll në mënyrën më jo profesionale e barbare me teatrin dhe aktorët. Ky duhet të jetë një turp në historinë e policisë demokratike shqiptare. Ky duhet të jetë një nga faqet më të zeza.

Ashtu siç është dhe mënyra e sjelljes me Kastriot Islamin. Polici e di kush është, ka një qytetar të rregullt, një profesor dhe sillen sikur kanë të bëjnë me një kriminel. Tek policia është futur mentaliteti i forcës. Një polici që duhet të punojë pa tru por me muskuj është gjëja më negative që mund të ndodhë kohët e fundit.

Ia vlerëson meritat aty ku duhet por vë theksin tek edukata.

Neritan Ceka për Ora News: Ka sektorë dhe oficerë të policisë që janë jashtëzakonishtë profesionistë. Ka raste kur policia shqiptare është profesionale sa ajo Italiane, por ajo që i mungon është edukata.

Dal çdo ditë nga liqeni e shoh policë atje me bllokun e hapur të gjobave. Nuk e di kush ia mëson këto metoda për të diskretuar policinë.

Rrinë 6 – 10 policë tek diga ku një pjesë e popullsisë vijnë të festojnë. Ia nxijnë këtë ditë asaj popullsie. Nuk ka nevojë për manifestime të tilla idiote e skandaloze. Ai nuk mund të quhet polic, por xhandar, dhe krijon një hije të pakëndshme në suksesin që ka qenë policia në pjesën më të madhe të viteve të fundit.

SHKARKO APP