Vrasja e Liljana Buzos, gratë dhe vajzat e Elbasanit dalin në protestë
Gratë elbasanase, mbështetur nga Forumi i Gruas, marshuan nga pedonalja e qytetit drejt Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, aty ku vendosën lule dhe qirinj. Ato u kanë bërë thirrje institucioneve për t’i mbrojtur nga agresiviteti i burrave, ku përpos dhunës, shumë prej grave kanë humbur edhe jetën. Kërkojnë që autoritetet ligjzbatuese të mos i trajtojnë vetëm si statistika, por të përforcojnë mekanizmat mbrojtës për sigurinë e jetës së tyre.
Raste të përsëritura dhe komunitet është pasiv ndaj dhunës në familje. “Kemi trajtuar mbi 6000 raste, komunitetit qëndron pasiv ndaj rasteve të dhunës, nuk ndihmojnë në denoncime”, u shpreh Shpresa Banja, presidente e Forumit të Gruas. Dy faktorë të tjerë që mendohet se nxisin dhunën në familje sipas presidentes së Forumit të Gruas është edhe gjuha e ashpër dhe imponuese e politikanëve, si dhe programet televizive që përçojnë mesazhe që nuk respektojnë figurën e gruas në shoqëri.
Në dëshminë e tij, bashkëshorti Koço Buzo ka thënë se i kishte kërkuar gruas që mos të divorcoheshin, por ajo sipas tij nuk e kishte dëgjuar. Ai është shprehur se e qëlloi, pasi 54-vjeçarja e kishte denoncuar për dhunë dhe kishte frikë se do të futej në burg.
”I kisha thënë se nuk do të ndahej nga unë. E kisha paralajmëruar të mos shkonte në gjykatë për divorc. Ajo nuk më dëgjoi”, kështu është shprehur para grupit hetimor Koçi Buzo i cili vrau bashkëshorten pranë gjykatës së Elbasanit. 58-vjeçari ka thënë gjithashtu se gruaja donte ta denonconte për dhunë dhe të merrte urdhër mbrojtjeje dhe sipas tij gruaja donte ta fuste në burg ndaj ai e qëlloi.