Vrasja e policit në komisariat, reagon Agjencia e Mbikëqyerjes policore
Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka qenë e angazhuar maksimalisht për hetimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Tiranës, si më poshtë:
Më datë 24.05.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Z., me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.
Arrestimi i punonjësit të policisë L. Z. u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Ç. S., me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.