Vrasja e shoferit të prokurorit/Lleshaj: Nuk jam kryepolici i Shqipërisë
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndojit, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, është bërë temë e përplasjes në seancën e kësaj të enjte në Parlament.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se nuk merret me raste konkrete pasi deputeti i opozitës Halit Valteri solli në seancë rastin e vrasjes së Andi Malokut, shoferit të prokurorit Arjan Ndoj dhe fjalët e të atit që kërkonte drejtësi.
”Unë si ministër nuk merrem me raste konkrete. Nuk jam kryepolici i Shqipërisë. Nuk shoh as kamera. Policia i ka të përcaktuara procedurat. Ndërhyrjet e ministrit janë të paligjshme. Unë besoj që ju duhet ta dini kush është përgjegjës, prokuroria. Ju duhet t’i paraqisni provat në prokuror. Qoftë për rastin e Durrësit, qoftë për raste të tjera jam i angazhuar që policia të performojë. E ndiej keqardhjen për atë ngjarje dhe familjen e djalit”.