Vrasja e të riut nga policia, Basha i shoqëruar nga Alibeaj në shtëpinë e viktimës
Mbrëmjen e sotme kryetari i PD-së, Lulzim Basha i shoqëruar nga ish-deputeti Enkelejd Alibeaj ishin në familjen e të riut, që u ekzekutua në orët e para të ditës së sotme nga policia në Tiranë.
“ABC” sjell pamjet e momentit, kur Basha futet brenda banesës së familjes për t’u shprehur ngushëllimet. Klodian Rasha u vra nga efektivi i policisë, ekzekutim i cilësuar që u krye në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
SHÇBA sqaroi se nga hetimet paraprake doli në përfundimin se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Polici N.H., sipas raportit, nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Efektivi i policisë qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha me pretendimin se i nxori armën për ta qëlluar. I riu mbeti fillimisht i plagosur por më pas ndërroi jetë në spital për shkak të plumbave që kishte marrë në kokë dhe shpatull./Abcnews.al