Vrasja e tre grave nga Dan Hutra, Kuvendi ”Vetting” drejtësisë. Kërkon informacion nga disa institucione

Për vrasjen e tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave nga vrasësi serial Dan Hutra që ka tronditur vendin, Komisioni i Ligjeve kërkon informacion në disa institucione. Indinjata qytetare ka vënë në lëvizje Kuvendin e Shqipërisë, i cili kërkon informacione se përse një person me precedentë të theksuar penal është liruar nga burgu dhe nuk është mbajtur nën monitorim.

Moria e shkresave i drejtohet KLGJ-së, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ku vihet theksi tek masa disiplinore ndaj magjistratëve që kanë shqyrtuar veprat penale të mëparshme të Dan Hutrës.

Informacionet që do të mbërrijnë nga institucionet, pritet të ballafaqohen më pas nga Komisioni i Ligjeve, për të kuptuar çfarë nuk ka funksionuar nga pikëpamja institucionale, që lejoi një të dënuar për vrasje dhe përdhunim, të marrë të tjera jetë.

Njoftimi i plotë

Pas ngjarjeve tragjike të vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave, në fillim të muajit Mars, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e Kuvendit, znj. Klotilda Bushka, në funksion të ushtrimit të kompetencës monitoruese të Komisionit për zbatimin e legjislacionit dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, u është drejtuar disa institucioneve publike, duke iu kërkuar informacionet përkatëse me qëllim verifikimin paraprak të situatës.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Bushka, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, informacion mbi masat e marra për verifikimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata, ku janë shqyrtuar çështje ndaj autorit të krimeve.

Nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është kërkuar informacion mbi zbatimin e ligjit nr. 62/2022 “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.

Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisē së Drejtësisē i kërkohet informacion mbi zbatimin e detyrimeve për krijimin e bazës së të dhënave mbi vendimet gjyqësore për raste të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9669/2018 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

Bashkisë Tiranë e Bashkisë Kamëz i kërkohet informacion nëse ka referim në mekanizmat e koordinuar te referimit të rasteve të dhunës në familje sipas detyrimeve ligjore per autorin e krimeve në fjalë dhe masat e marra, nëse ka.

SHKARKO APP