Vrasja e Valentin Frrokajt, italiani: Më kërcënoi vajzën se do t’i priste gishtat

 

Shtetasi italian që vrau shqiptarin Valentin Frrokaj, pasi ky i fundit po tentonte ta grabiste, ka rrëfyer historinë për televizionin Tgcom24. Ai tregon se gjithçka e bëri për të mbrojtur vajzën dhe gruan.

Rodolfo Carazzo, tregtari i cili të martën në mbrëmje qëlloi për vdekje shqiptarin 37-vjeçar, i cili po tentonte ta grabiste, u shpreh se qëllimi i tij ishte ta largonte jo ta vriste.

“Qëllimi im nuk ishte ta vrisja, por ta largoja”, shprehet italiani duke folur për televizionin në zyrën e avokatit të tij.

“Falë Zotit kisha armë, nëse jo do të na kishte vrarë, jam i sigurt. Iu dhashë çdo gjë që kisha në shtëpi, por ata ngulnin këmbë duke u përpjekur të trembnin vajzën. E morën në katin e dytë dhe i thanë se nëse babi nuk i ka paratë do të presim gishtat. Na mbajtën një orë e gjysmë nën kërcënimin e armës”, tregon italiani.

Carazzo shton më tej se, ka qëlluar tri herë, por vetëm plumbi i fundit e kapi 37-vjeçarin Frrokaj.

Ky i fundit ka qenë i dënuar për vrasje, por ishte arratisur vitin e kaluar nga një burg pranë Palermos.

SHKARKO APP