Vrasja e Xhulio Prelës, flet vjehrri i të arrestuarit: Natën e ngjarjes ka qenë te shtëpia ime
Flet vjehrri i Nikoll Sherrnikut, i arrestuar si bashkautor në vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur pranë fshatit Gajush në Lezhë më 5 dhjetor.
Astrit Gjoka nga fshati Adriatik, baba i katër fëmijëve i del në mbrojtje dhëndrrit dhe thotë se natën e ngjarjes ai ka qenë tek shtëpia e tij dhe më pas ditën tjetër kanë festuar ditëlindjen e Nikollës. Deklaratat e tij, Gjoka thotë se i ka dhënë edhe në polici duke kërkuar të mos ngrihen akuza të pabaza.
“Nikoll Sherrniku është i fejuari i vajzës sime. Ka 4 vite që është fejuar me të. Për akuzën që ngrihet ndaj tij, deklaroj me bindje të plotë se Nikoll Sherrniku atë natë ka qenë tek shtëpia ime dhe është çuar në 9 të mëngjesit dhe ka shkuar tek shtëpia se në datën 5 kishte ditëlindjen. Jemi organizuar si familjarë dhe kemi shkuar më datën 5 tek shtëpia e Nikollës. Kur ka ndodhur ngjarja ka qenë tek shtëpia ime. Nikolla ka ndenjur ca kohë në Itali, ka punuar si mekanik dhe këtu rregullonte makina, ashtu me halle, me probleme.
Unë e deklaroj se ka qenë te shtëpia ime më datën 4 dhe mëngjes ka shkuar tek shtëpia e vet. Këtë fakt e kam deklaruar dhe në shtëpi. Për sa e kam dhëndërr unë për 4 vite, nuk ka disponuar asnjëherë mjet në pronësinë e vet. Mund ta vërtetojnë. Me personin tjetër i shpallur në kërkim, absolutisht as unë dhe as ai nuk ka njohje fare. E kam ndihmuar ekonomikisht. I ka tejet të vështira kushtet. Shtëpinë që e ka ndërtuar akoma ka borxh. Unë kërkoj që të kapet ai tjetri pa asnjë lloj fakti. Është njeri hallexhi, kështu që mos të ngrihen akuza të pabaza. Është dorëzuar vetë në polici”, deklaroi vjehrri.