Vrasja në Bathore, flet vëllai i viktimës: Motra shkoi të merrte sendet
I tronditur nga vrasja e së motrës, Rajmond Hasani thotë se ajo kishte shkuar në shtëpi për të marrë sendet e saj pasi kishte vendosur të mos kthehej më aty. Edhe pse Jetmira Hasani ishte e pajisur me urdhër mbrojtje, kjo nuk mjaftoi që ish-kunati i saj Agron Tanushi t’i qëndronte larg, duke bërë që raporti i tyre të përfundonte në mënyrë tragjike, me një viktimë. Sipas tij, vrasja mund të ishte shmangur por policia u largua para se konfikti të shuhej.
”Unë kam qenë në shtëpi, më thanë është bërë nami se e ka qëlluar me automatik Agron Tanushi. Motra ime ka jetuar aty, aty është bërë dhe prind. Ka shkuar të merrte sendet sepse nuk do kthehej më aty, kishte hasur pengesa dhe kishte ndodhur një konflikt. Është njoftuar policia para se të ndodhte ngjarja. Ka shkuar policia aty. Ishte motra me urdhër mbrotje, as nuk u bë shoqërimi i atij që bëri vrasjen, as nuk është kryer kontroll në banesën e tij që mbante armën. Policia duhet të qëndronte deri sa të dy të mos ishin pranë njëri-tjetrit. Kjo vrasje mund të ishte shmangur. Personi ka ikur me vrap. Kërkoj të kapet dhe t’i jepet dënimi maksimal. Policia ka qenë prezente, por nuk ka kryer funksionet e veta. Mund të shoqëronte brawsësin, dhe të kryente kontrollin e banesës”,- tha vëllai i viktimës.
Operacioni për kapjen e tij zgjati 14 orë dhe është shtrirë në qytetet Tiranë dhe Lushnje, ku edhe u kap autori. Në këtë operacion morën pjesë efektivë nga Drejtoria e Policisë Tiranë, komisariati i Kamzës dhe komisariati i Lushnjes. Pas identifikimit të zonës ku po fshihej, autori u mbajt i rrethuar nga forcat policore përgjatë gjithë natës, ndërsa nuk munguan kontrollet në Tiranë dhe Lushnje. Sipas policisë, autori e kishte të pamundur ti shmangej arrestimit.
Banorët kanë thënë se pak para ngjarjes, policia ka qenë në vendin e ngjarjes por menjëherë pasi është larguar ka ndodhur vrasja. Njëri nga banorët tha se viktima i kishte nxjerrë plaçkat në rrugë dhe po priste të largohej për pak por u qëllua nga kunati i saj. Siç tregohet, autori Tanushi është larguar në këmbë dhe komshinjtë thonë se ishte i qetë në momentin e ikjes nga vendi i ngjarjes.
“Djali ishte i mirë, bëri disa ndërtime këtu. Nuk e dinim për konfliktin, nuk e di se çfarë i ka ndodhur atij. Jetmira ka qenë e ndarë dhe ka pasur katin e dytë. Jetonte bashkë me gocën e saj në kat të dytë. Mbrëmë kalova dhe çova djalin në shkollë, policia ishte njëherë dhe sa iku policia u bë atentati. Policia ishte aty, materialet i nxorën jashtë me i çu në shtëpi tek vëllezërit dhe pastaj u bë atentati. Pastaj kishte shti dhe e kishte vrarë. Ajo i kishte nxjerrë plaçkat në rrugë edhe do të ikte. Kishin ardhur dhe makinat që t’i ngarkojë, pastaj ai ka dalë me çifte. Policia e ka kontrolluar 100 herë atë, se ku e ka marrë çiften. Më pas ka ikur lart rrugicës, ka ikur në mënyrë të zakonshme, pa pasur asgjë. Mua më thanë që kishte ikur i qetë. Ka qenë herët kur ka dalë, si ka mundësi mos të kapet ai. Pa makinë, pa gjë ka ikur”, tha një banor që jetonte afër shtëpisë së viktimës.