Vrasja në Dajt: Zbardhet dinamika e krimit

 

Të dyshuarit pritën në parking automjetin me të cilin lëviznin pronari i restorantit, Ismet Gaxherri dhe Enton Nika. Ata u konfliktuan me Nikën pas një bisede të tensionuar mes tyre dhe pasi goditën me qytën e pistoletës Gaxherrin, qëlluan me një plumb Nikën. Sipas pamjeve filmike, njëri prej tyre kërkoi gëzhojën pas krimit dhe kërcënoi me armë të pranishmit që tentuan të ndihmonin dy personat e shtrirë.

Tri ditë pas vrasjes së Enton Nikës në parkingun e një lokali në zonën e Dajtit, policia dhe prokuroria kanë mundur të zbardhin dinamikën e krimit, por jo motivin e ngjarjes që përfundoi me një të vrarë dhe një të dëmtuar me sende të forta.

Deri tani janë arrestuar dy prej të dyshuarve, Mirsad Kuçana dhe Emiljano Tasho, të cilit iu gjet dhe një pistoletë me silenciator, që dyshohet se është dhe arma e krimit.

Në kërkim për këtë vrasje janë Ervis Martinaj, person me precedentë të mëparshëm penalë dhe Bujar Hasani, i dyshuar si një nga autorët e krimit.

Ndërsa Oliver Gjoka, i shpallur në kërkim nga policia si bashkautor në krim, u shoqërua dhe më pas u la i lirë, pasi u verifikua pretendimi i tij se nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Njëri prej të arrestuarve për vrasjen e Nikajt, Mirsad Kuçanaj u përball dje me Gjykatën e Tiranës, ku mori masën e sigurisë “arrest me burg” si i dyshuar për akuzën e vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa prokuroria zbardhi dinamikën e krimit të ndodhur më 13 nëntor në parkingun e restorant “Muraga” në Dajt, ndërsa tha se ende nuk ka një motiv të qartë për ngjarjen.

Nga hetimet rezulton se shtetasit e dëmtuar, konkretisht viktima Enton Nikaj dhe Ismet Gaxherri, kanë hyrë në parkimin e lokal “Muraga” në Linzë, mesditën e së premtes.

Sapo kanë parkuar makinën, me të cilin kishin udhëtuar nga Tirana në drejtim të Linzës, janë drejtuar për në hyrjen e brendshme të restorantit.

Pak para hyrjes, para këmbëve të tyre ka ndaluar automjeti tip “Mercedez”, nga i cili kanë zbritur katër persona.

Menjëherë, ndërmjet personave të dëmtuar nga ky konflikt dhe personave që kanë zbritur nga mjeti “Mercedez” ka pasur një shkëmbim bisede, e cila duket se ka qenë e tensionuar.

Pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, njëri prej personave që ka zbritur nga mjeti ka nisur të godasë me grushte shtetasin Enton Nikaj.

Në këtë moment, dy prej shoqëruesve të agresorit kanë mbajtur në duar mjete, të cilat krijojnë dyshimin se janë objekte luftarake, tip pistoletë.

Në këtë moment ka ndërhyrë me qëllim për t’i ndarë shtetasi Ismet Gaxherri, i cili shoqëronte viktimën Enton Nikaj.

Menjëherë, personat agresorë kanë goditur me pjesën fundore të pistoletës, shtetasin Gaxherri, i cili është rrëzuar në tokë i gjakosur.

Më pas, veprimet e dhunshme kanë vijuar mbi shtetasin Enton Nikaj.

Brenda pak çasteve agresorët kanë hipur në mjet, ndërkohë që shtetasi Nikaj ka qenë i shtrirë në tokë, i qëlluar me armë zjarri në pjesën e qafës, i cili kishte pësuar vdekje të menjëhershme.

Në vijim të dinamikës, disa persona që gjendeshin në atë moment në vendin e ngjarjes kanë tentuar të afrohen për të shuar konfliktin, si edhe për t’i dhënë ndihmën personit të shtrirë në tokë, por njëri prej personave agresorë i ka bllokuar duke i frikësuar me armë.

Ky person, pasi ka hipur në mjetin me të cilin kishin ardhur, ka dalë sërish, në kërkim të një objekti në tokë, ka dyshime se po kërkonte gëzhojën e plumbit me të cilin ishte qëlluar viktima Nikaj.

Në pak çaste ka kërkuar për këtë objekt dhe, pasi nuk e ka gjetur, ka hipur sërish në mjet, ku gjendeshin edhe tre personat e tjerë që kishin zbritur fillimisht me të, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Nga veprimet e policisë gjyqësore, si edhe nga aktet e deritanishme hetimore, rezulton se të dyshuar për këtë ngjarje janë shtetasit: Mirsad Kuçana, Emiljano Tashi tashmë të arrestuar, si edhe persona të tjerë, për të cilët po kryhen veprimet e nevojshme procedurale.

Në këtë ngjarje dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe ish-efektivi i policisë, Mirsad Kuçana, i cili ditën e djeshme u paraqit në Gjykatën e Tiranës me dorën e fashuar.

Gjykata vendosi ta lërë atë në masën e sigurisë “burg pa afat”, duke pranuar kërkesën e prokurorisë. Kuçana, ish-efektiv i policisë së Komisariatit nr.2 në Tiranë dhe i Policisë së Durrësit, u arrestua të premten në Durrës, në një banesë të marrë me qira, ndërsa dyshohet se ishte duke u larguar nga Shqipëria.

 

SHKARKO APP