Vrasja në Itali, Jasin Sulo pranon krimin, mbeten mister motivet

 

I arrestuari nga policia italiane, Jasin Sulo ka pranuar përpara hetuesve se ai ka qëlluar ndaj të riut 26 vjeçar Ermal Abdushi (Ne foto)

Prokurori i çështjes Paskuale Adeso mori në pyetje të dyshuarin dhe më pas ngriti akuzat për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë karabanierët kanë arrestuar edhe një tjetër person, i cili dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e të riut shqiptar. Gjatë momentit të ndalimit atij iu kap edhe një sasi kokaine, shkruajnë mediat italiane.

Një person i tretë po ndiqet në gjendje të lirë, pasi prokuroria e akuzon se ka pastruar gjurmët në banesën ku ndodhi vrasja.

I riu u la përpara spitalit të Tradates në mbrëmjen e 30 dhjetorit nga disa bashkatdhetarë të tij në gjendje të rëndë, e më pas nuk arriti ti mbijetonte, si pasojë e humbjes së gjakut.

Abdushi u qëllua me një plumb në gojë më 30 dhjetor. Hetuesit dyshojnë se 26 vjeçari është vrarë në një banesë në zonën e Lokate Varesinos, ku dhe u gjetën gjurmë gjaku.

Policia thotë se ende nuk është i qartë motivi i vrasjes. Po sipas policisë italiane, Sulo ka precedent penalë për armëmbajtje pa leje në Shqipëri, ndërsa viktima kishte precedent të mëparshëm për lëndë narkotike në Itali.

Ermal Abdushi mësohet se ishte martuar vetëm pak muaj më parë dhe jetonte prej kohësh në Vedano Olona.Prej vitesh ai njihej si lojtar futbolli në kalçetot e zonës.

SHKARKO APP