Vrasja në Mamurras, për trafikun e prostitucionit

Mamurrasi është tronditur paraditen e djeshme, nga një luftë e vërtetë me armë mes dy grupeve.

Në përplasjen me armë humbi jetën Naim Tafa dhe mbetën të plagosur rëndë Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Çoku.

Sipas policisë, konflikti kishte nisur mes dy kushërinjve Dorian dhe Erik Mamli.

Erik Mamli i kishte kërkuar Dorianit mos të shoqërohej me Naim Tafën dhe kushërinjtë e tij, pasi kishte pasur konflikte të mëparshme me ta kur ishte jashtë shtetit.

Kjo bisedë e tyre kishte rënë në vesh të Naim Tafës, dhe kur mësoi se çfarë kishte thënë Eriku për të, u nis të sqaronte situatën. Në momentin që Erik Mamli udhëtonte me makinën e tij “Range Rover” me targa AA 481 JT, u përplas nga një automjet “Benz” me targa AA 077 CN, në të cilën udhëtonin Naim Tafa, Arjan Tafa dhe Gazmir Elezi.

Personat brenda dy makinave hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit dhe për pasojë humbi jetën Naim Tafa dhe mbetën të plagosur Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Çoku, këta të fundit ishin jashtë makinës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia bën me dije se viktima kishte dalë nga burgu në Itali më 8 shtator të këtij viti, pasi ishte dënuar me 10 vite burg për vjedhje.

Burime të policisë bëjnë me dije se shkak për përplasjen e djeshme me armë, mund të jetë trafiku i prostitucionit që ata kanë zhvilluar në Itali.

SHKARKO APP