Vrasja në Thumanë, arrestohet babai, në kërkim tre vëllezërit

 

Rreth 48 orë pas vrasjes së trefishtë në Thumanë të Krujës, policia ka arritur të vërë në pranga Gurali Korën, një prej anëtarëve të familjes Kora. Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni special gjatë natës nga ana e komisariatit të Kurbinit.

Nuk dihet ende nëse 56-vjeçari Kora është zbuluar gjatë kontrolleve të policisë, apo vendodhja e tij është zbuluar nga ndonjë informacion i dhënë.

Ndërkohë mbeten ende në kërkim tre bijtë e tij, Besnik, Daniel e Pëllumb Kora,  ku sipas policisë ata kanë qenë nxjerrë armët, pistoletë e kallashnikov duke hapur zjarr mbi 4 anëtarët e familjes Çeku.

Ditën e djeshme policia vendosi rreth 10 mijë euro si shpërblim për këdo që jepte informacion për vendndodhjen e anëtarëve të familjes Kora. Ditën e premte, në Thumanë të Krujës, gjatë një konflikti të çastit u vranë 3 persona, Fran Çeku, 79 vjeç; djali i tij Arben Çeku, 44 vjeç; si dhe nipi Eno Rama, 20 vjeç; të 3 banues në Thumanë, dhe duke lënë të plagosur 66-vjeçaren Lucie Çeku.

Dava Goro, nëna e djemve që kryen vrasjen e trefishtë në Thumanë, dyshohet se ka bashkëpunuar me djemtë dhe të shoqin, për krimin e rëndë. Megjithatë, ajo e mohon këtë gjë, duke thënë se në momentin e vrasjes, ka qenë te motra. 

“Lajmin e kam marrë nga televizori. Nuk kam ditur se çfarë kanë bërë djemte apo burri. Unë kam qenë nga motra ime atë natë. Nuk kam dëgjuar gjë. Nuk besoj se i kanë bërë djemtë e mi vrasjet, as bashkëshorti. Ne nuk kemi pasur armë në banesë, as kallashnikov, as pistoletë. Unë nuk e di ku shkuan ata, sepse kasha ardhur herët për darkë te motra. Nuk e di ku mund të kenë shkuar ata, s’ia kam haberin. Gjejini dhe pyetini, se unë nuk di gjë”, ka thënë 55-vjeçarja për “GSH”. Ajo dyshohet nga policia se ka ndihmuar djemtë dhe të shoqin në vrasjen e trefishtë.

SHKARKO APP