Vrasje, prostitucion dhe kokainë. Policia nxjerr pamjet e aksionit në Durrës, arrestohen 4 persona

Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë 4 shtetas, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal për vrasje, mbajtje të ambienteve për prostitucion dhe prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Policia vuri nën pranga shtetasit A. P., 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe E. Gj., 37 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Durrës.

Fillimisht, shërbimet e Policisë, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Urës së Dajlanit”, kanë ndaluar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin E. Gj. dhe pasagjer shtetasin A. P. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Gj. iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.

Gjithashtu, në vijim të operacionit dhe mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: I. P., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion” dhe S. M., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete.

Ndërkaq, vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

SHKARKO APP