Vrasjet e bujshme, ja ”padrinot” e rinj që po marrin Lushnjen nën kontroll

Lushnja do të përjetonte edhe njëherë tmerrin e viteve 1997-1999. Në 12 Tetor të vitit 2017, Xhulio Shkurti ndodhej në një lokal së bashku me shokët Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe Sajmo Xhelili, jo shumë larg vendit ku ishte plagosur një vit më parë. Aty afrohen me makinë dy persona të cilët hapin zjarr në drejtim të tavolinës duke lënë të vdekur në vend Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.

Sajmo Xhelili shpëtoi pa lëndime ndërkohë Xhulio Shkurtin e ndihmoi fati pasi ishte larguar pak minuta më parë. Hoxha, ishte nip i Afrim Hoxhës, një prej anëtarëve të bandës së Alfred Shkurtit. Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin, dy personat e akuzuar për vrasjen e Gerti Lalës.

“Unë me Vathin, Xhaxhain e atij Latifit kemi pasur hyrje dalje, edhe me Fatosin kam pasur muhabet. Këtë kam kërkuar se po të kisha komunikim i kisha thënë, po i them prap nëse më dëgjon është mirë të dorëzohet vetë se gjithë këto ngjarje që ndodhin nuk është se i bën im bir”, thotë Qamil Haxhiu, babai i Laert Haxhiut.

“Përdoren presione ndaj policëve, ndaj politikës,më përdoren të gjitha llojet, ryshfetet korrupsionin, i përdorin gjithë mënyrat”, thotë Emri Vata, Ekspert Sigurie. Në një rast, një i moshuar u plagos nga policia në Divjakë gjatë kontrolleve në një banesë ky dyshohej se fshiheshin të rinjtë. Duket se ata janë njoftuar për aksionet që janë dekonspiruar njëri pas tjetrit.

Disa ditë pas asaj që njihet si masakra e Lushnjes, plagoset me plumb në këmbë Saimir Taullau, vëllai i biznesmenit të vrarë në vitin 2005 nga banda e Lushnjes. Sipas informacioneve operative, Taullau është shoqëruar nga policia pas plagosjes së Xhulio Shkurtit dhe pas vrasjes së Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës. Ai njihet si shok i ngushtë i njërit prej të dyshuarve, Laert Haxhiut. Madje, në vitin 2015 ata ishin kapur së bashku me 1.2 kilogramë heroinë. Taullau u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa Haxhiu u akuzua vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit duke u liruar shumë shpejt.

“Në 11-30 ka ikur, ka vajtur kafe, i ka thënë personi që thoni ju,. shkojmë deri në Durrës të marr cigare për lokalin. I hipin smartit djalit, rrinë në një vend për kafe, aty vijnë civilët, pa asnjë shenjë policie”, thotë Qamil Haxhiu, babai i Laert Haxhiut

Në 24 Nëntor të vitit 2018 Saimir Taullau i shpëton një tjetër atentati. Ai ndodhej në lokalin e tij në rrethrrotullimin e Plugut teksa një person afrohet dhe qëllon me kallashnikov drejt tij. Ai shpëton me dëmtime të lehta. Ndërkohë në 6 Qershor të vitit 2019 organizohet një atentat ndaj vëllait tjetër Taullau, Albertit. Atij i vendosën një sasi tritoli në oborrin e pasëm të banesës në lagjen “Loni Dhamo”. Në momentin e shpërthimit fatmirësisht aty nuk ndodhej askush. Kundërpërgjigja nga krahu tjetër nuk vonon. Mëngjesin e 1 Tetorit ekzekutohet me breshëri kallashnikovi 35-vjeçari Besmir Hida. Ai ishte duke konsumuar kafe në katin e dytë të një lokali në lagjen “Skënder Libohova”, kur një person me maskë afrohet shumë pranë dhe e qëllon me breshër kallashnikovi. Një person i dytë e largon me makinë. Hida ishte daja i Zamir Latifit, i cili mbeti i vdekur në masakrën e Lushnjes.

“Unë skam asnjë, bile unë me vëllanë e madh të tij kam qenë shok, blegtor ka qenë si unë, vëllai i madh i atij Hidës, Besit”, thotë Qamil Haxhiu, babai i Laert Haxhiut. Viktima, nuk është akuzuar ndonjëherë për krimet e bandës së Lushnjes. Ai tregtonte vetura të përdorura. Atentatet që po ndodhnin në Lushnje njëri pas tjetrit me objektiv ish-anëtarë të bandës së Lushnjes apo të afërm të tyre ishin sinjal se askush nuk do falej.

Marrë nga Top Channel

SHKARKO APP