Vrasjet në vend/ Banushi: Para dhe pas zgjedhjeve zgjohen grupet kriminale, viktimat me precedent
Gazetarja Keti Banushi, ka folur në lidhje me vrasjen në Tiranë, ku ish-vjehrri vrau ish-dhëndrin, ngjarje e ndodhur sot në një lokal afër Gjykatës së Tiranës.
E ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Banushi, shprehet se ishte një ngjarje e paralajmëruar, teksa shton se një nga shkaqet që mund të ketë krijuar një situatë të tillë, ka qenë largimi i tre fëmijëve nga nëna si dhe kërkesa e kujdestarisë që është bërë nga ish-bashkëshorti i Dhurata Saliajt, i cili mbeti i vrarë.
Ajo shton se mes çiftit kishte probleme dhe sipas saj, personat në fjalë nuk janë emra të padëgjuar për mediat.
“shte ngjarje e paralajmëruar. Nuk ishte ngjarje rastësorë, pasi është një histori që ka nisur një vit më parë. Çifti kishte problem pasi vetë vajza e autorit ishte dënuar nga Gjykata për dhunë në familje. Ish-vjehrra, ish-kunata dhe ish- mbesa e kishin akuzuar për dhunë. Ajo qëndronte në shtëpinë e babit të saj. Kishte shkëputur kontaktet me tre fëmijët, bashkëshorti ia kishte shkëputur kontaktet me fëmijët dhe si rezultat i kishte bërë edhe një padi ku kërkonte kujdestarinë e tre fëmijëve. Ditën e sotme pritej që të zhvillohej seanca e pestë, por duke qenë se tre javë më parë Dhurata ishte dënuar, ndoshta kjo ka ndikuar te autori.
Njerëzit sot kanë armë dhe gjejnë armë, autori është një ish efektiv i policisë së burgjeve, por nuk po funksionojnë masat për armëmbajtje pa leje. Kemi persona që lëvizin lirshëm me armë pa leje në kryeqytet dhe në rrethe të tjera. Ka pasur konflikte mes tyre, disa herë kanë dalë edhe në media ku akuzonin familjen e ish-bashkëshortit se e kishin sajuar të gjithë historinë e dhunës. Gjithë situate e krijuar, kujdestaria që kërkonte, ndarja nga fëmijët, mosgjetja në gjuhën e përbashkët ndoshta ka çuar në situatën ku ndodhemi sot. Ndërkohë autori ka pretenduar se la çuar në vend nderin e vajzës.”
Gazetarja shton më tej se para dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit janë aktivizuar grupet kriminale teksa shton se vigjilenca e policisë ka rënë.
“Para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve janë aktivizuar grupet kriminal, vigjilenca e policisë ka rënë. Gjejnë këto momente për të kultivuar lëndë narkotike por për të larë edhe hesapet me njëri-tjetrin, është një situatë që ndodh para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Të gjithë i kanë hesapet jashtë Shqipërisë, ndërsa në rastin konkret në Vlorë është një histori që ka nisur 7-8 vite më parë.”