Vrau dhëndrin në Gjykatë, kërkohet burg i përjetshëm për Mexhit Picarin dhe 35-vite për të bijën
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burg përjetë për Mexhit Picarin dhe 35 vite burg për të bijën, Dhurata Saliasi. Babë e bijë akuzohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen e Kudret Saliajt, më 4 qershor të 2021.
Mexhi dhe vajza e tij ishin nisur së bashku nga Vora për në Gjykatën e Tiranës, por qëllimi i tyre nuk ka qenë seanca e pestë e divorcit të kësaj të fundit. Para seancës ata kanë vëzhguar për të parë Kudret Saliajn në ambientet e Gjykatës dhe rrotull saj.
Pas seancës në Gjykatën e Tiranës, Saliaj dhe avokati i tij ishin ulur në një kafe dhe vetëm disa metra më tutje ndodhej edhe ish-bashkëshortja e tij.
Sapo i ka parë të ulur, Picari qëlloi 5 herë në drejtim të ish-dhëndrit 41 vjeçar duke e lënë të pajetë. Plumbat kapën dhe avokatin, ish-prokurorin Cama.