Vrau djalin e xhaxhait për 12 mijë lekë, ekstradohet nga Britania kuksiani
Është ekstraduar nga Britania, kuksiani Granit Shehu i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kushëririt të tij rreth katër vite më parë.
I riu rezulton i dënuar në mungesë me 16 vite burg për vrasje me paramendim.
“Granit Shehu, 35 vjeç, lindur në Kukës ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e ka dënuar me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”,”-njofton policia.
Ai u arrestua më 11 shkurt të këtij viti nga policia britanike në Pickwick Terrace, Slough.
Shehu akuzohet se ka qëlluar për vdekje djalin e xhaxhait të tij Milazim Shehu, më 16 shtator të vitit 2015 në Kamëz.
Shkak i krimit të rëndë ka qenë një konflikt për vjedhjen e një shume prej 12 mijë lekësh në shtëpinë e shtetasit Granit Shehu.
Që prej atëherë, Shehu u arratis dhe jetoi në Londër, Eastbourne, Leeds dhe West Midlands derisara në prangat e autoriteteve britanike.
/Ora News