Vrau dy të rinjtë, gardiani e bëri për nderin e motrës. Flasin edhe fqinjët
Një lidhje jashtë martesës e motrës së gardianit që vrau dy të rinj në Patos, duket ka qenë shkaku kryesor i krimit të së enjtes. Shtatë plumba ka marrë në trup 26-vjeçari Manol Rrapaj, ndërsa 5 plumba u gjetën në trupin e 22-vjeçarit Kapaj, në sherrin e së enjtes që çoi edhe vdekjen e tyre. Gardiani Martin Skëndaj, në dëshminë e parë para policisë ka pranuar vrasjen dhe ka konfirmuar se motivi i masakrës ishte një lidhje intime mes fqinjit Rrapaj me motrën e tij. Para grupit hetimor ai ka thënë se Rrapaj e vrau pas debateve ku ai nuk pranonte lidhjen me të motrën.
Debati nisi me një përleshje me leva dhe përfundoi në Poliklinikën e Patosit me të shtëna me armë që rezultuan vdekjeprurëse për dy të rinjtë. Gardiani i burgut ka qenë në poliklinikë, për shkak të problemeve me krahun e tij. Kjo ishte edhe arsyeja se pse kishte munguar në punë. Dy të rinjtë dyshohet të kenë pritur në një ambient larg poliklinikës gardianin e burgut, ku sapo e kanë pikasur e kanë qëlluar me leva duke e lënë të plagosur. Nga kjo përleshje, Martini ka qëlluar ndaj djemve. Elis Kapaj mbeti i vdekur në vend, ndërsa Manol Rrapaj ndërroi jetë në spitalin e Fierit ku u transportua me urgjencë.
Katër ditë më parë viktima Manol Rrapaj kishte bërë kallëzim penal për gardianin Martin Skëndaj në Policinë e Fierit. Denoncimi i 26-vjeçarit erdhi pasi autori Skëndaj së bashku me babain e tij kishin shkuar për të debatuar me të duke pretenduar se Rrapaj i ngacmonte motrën. Sipas Manol Rrapajt në momentin që kanë shkuar për t’u sqaruar babë e bir kishin me vete edhe mjete prerëse. Pas denoncimin materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit për kanosje. Denoncimi nuk parandaloi tragjedinë, pasi gardiani vrau dy kushërinjtë Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj në derën e poliklinikës së Patosit. Konflikti nisi brenda poliklinës por përshkallëzoi më pas në derën e jashtme ku Skëndaj, me armën e shërbimit qëlloi ndaj tyre. 22-vjeçari Kapaj ndërroi jetë në vend, ndërsa 26-vjeçari Rrapaj fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital.
Pas tradhtisë, motra e gardianit u divorcua me bashkëshortin dhe vazhdonte marrëdhënien me Manol Rapajn. Ndërsa i vrari tjetër Elis Kapaj sipas fqinjit ishte kushëri me familjen Skëndaj dhe pak ditë kishte që ishte kthyer në Shqipëri. “Vrau edhe kushëririn e cili nuk kishte faj”, shprehen banorët. Ky konflikt ka të paktën 6 muaj që ka nisur mes dy familjeve që janë dhe fqinj në fshatin Kuqar të Patosit. Të enjten degradoi deri në vrasjen e dy të rinjve përpara poliklinikës së Patosit, ku kujtojmë këtu që autori i krimit kishte shkuar të merrte një raport pasi ishte dhunuar nga viktimat.
KOHA JONË SONDAZH

