Vrau komisarin, vonesat e dosjes liruan 21-vjeçarin
21-vjeçari Aldi Rama tronditi mbarë opinionin publik shtatorin e vitit të shkuar, kur vrau për vdekje komisarin e Policisë së Lezhës, Saimir Hoxhën. Kjo ngjarje mund të ishte shmanguar, nëse organet e Drejtësisë do të zbatonin veç se ligjet. Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bazë të një hetimi disa mujor, ka rekomanduar vërejtje publike për dy prokurorët Milan Laskaj dhe Francesk Ganaj.
Sipas Inspektorit këta dy prokurorë kanë zvarritur hetimet për të riun Aldi Rama, përpara se ai të kryente vrasjen ndaj komisarit. ILD konkludoi se gjatë hetimeve prokurori Ganaj çoi me vonesë dosjen penale për 21-vjeçarin e për këtë gjykata vendosi shuarjen e masës ”arrest me burg” për të riun dhe caktimin e masës ”arrest shtëpie”.
Për këto shkelje Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani kërkon nga KLP që të marrë masën disiplinore “Vërejtje publike” për të dy magjistratët.
Më 28 shtator, në një kontroll rutinë, oficeret e policisë ndaluan makinën në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Hoxha i kërkoi mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë, duke i marrë jetën në vend. Pas ngjarjes i riu u largua dhe gjatë operacionit policor ai u vetëvra. Oficeri Saimir Hoxha u shpall ”Dëshmor i Atdheut”.