Vrau vëlla e motër, policia nxjerr foton e autorit: 5 mln lekë kush jep info
Forcat RENEA, FNSH dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vijuar kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara ku mund të fshihej autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Rrëshën por deri mëngjesin e sotëm nuk është gjetur edne Fatmir Kolecaj.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë thekson se ka vendosur në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit. “Cilido që disponon informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar, shtetasin Fatmir Kolecaj 47 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, të telefonojnë në numrin 069 41 06 449 dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke i siguruar anonimat të plotë dhe të sigurt”.
Esmeralda Filopati punonte shitëse tek një market në qytetin e Rrëshenit, ndërsa mbrëmë i vëllai kishte shkuar ta merrte tek puna dhe sapo ishin kthyer në shtëpi.Ende nuk dihet nëse ka pasur debat fillimisht midis tyre apo autori i ka qëlluar menjëherë teksa ndodheshin në oborrin e banesës. Debatet mes çiftit kanë qenë të hershme. Shkak dyshohen fëmijët, që 47-vjeçari nuk ka mundur t’i marrë ligjërisht edhe për arsye të historikut që kishte pasur më parë me dënimin për dhunë në familje.
E ndjera ishte divorcuar prej tre vitesh nga Kolecaj. I dënuar me 10 muaj burg për dhunë në familje, autori i krimit e kishte kërcënuar edhe njëherë më parë se do ta vriste me thikë ish-bashkëshorten e tij, e cila ishte shpëtuar nga fqinjët.