Vrau vëllain, familja: 10 vjeçari rëndë, shteti ta ndihmojë
Familja Veizi është ende në shok nga krimi. Njëri djali u vra e tjetri që është autor i krimit të rëndë, është vetëm 10-vjeç dhe kërkon të vëllain. Pas vrasjes me thikë të 13-vjeçarit nga vëllai i tij 10-vjeçar me inicialet GJ.V, familjarët kërkojnë tanimë ndihmën e shtetit për ta larguar për pak kohë djalin, në mënyrë që të mos pësojë traumë.
Varfëria ekstreme, është shkaku sipas tyre që çoi edhe në këtë tragjedi. Babai i të miturve rrëfen se ngjarja ka ndodhur teksa dy vëllezërit po pastronin peshkun në oborrin e shtëpisë. “10-vjeçari është irrituar nga diskutimi se kush do ta pastronte peshkun”, ka bërë të ditur ai.
Fatmir Veizi shprehet se djali është në gjendje mjaft të rëndë psikologjike. “Ai është mjaft i tronditur, pyet gjithmonë ku është vëllai dhe e kërkon. Nuk e ka kuptuar akoma se çfarë ka bërë, e ndjen shumë mungesën e tij pasi ata gjatë gjithë kohës rrinin bashkë”, tregon i ati i dy djemve.
Dy vëllezërit e mitur ishin konfliktuar me njëri-tjetrin në ambientet e shtëpisë duke qëruar peshk dhe në sherr e sipër 10-vjeçari K.Veizi, ka marrë një thikë dhe ka goditur me të vëllain e tij, duke i marrë edhe jetën tragjikisht. Xhaxhai i dy vëllezërve, Isa Veizi, tha se fëmijët ishin duke qeruar peshk kur u grindën. Ai tha dy vëllezërit ishin vetëm në shtëpi në momentin e sherrit, ndërsa prindërit e tyre ishin në punë kur e morën vesh lajmin tragjik.
“Janë fëmijë. U goditën me njëri-tjetrin. Di që janë grindur dhe më pas janë goditur. Ka qenë duke qeruar peshk, jo mbaje ti, pse nuk e mban ti, pastroje ti. Nuk kishin për të ngrënë, ishin edhe pa drita në shtëpi. Prindërit ishin në punë këtu afër, i njoftuan dhe erdhën. Nuk dinin gjë se çfarë ndodhi këtu në shtëpi. Nuk kishte njeri që ta ndihmonte nipin, se edhe mund të shpëtonte. Atë të voglin e mori policia”,-tha xhaxhai.
Gjyshi tha se lajmin për vdekjen e nipit e mësoi nga spitali. Ai rrëfeu se fëmijët nuk kishin shkuar në shkollë dhe ishin vetëm në shtëpi, pasi prindërit ishin në punë në Vlorë. “Lajmin për nipin e mësova në spital. Pashë makinën që erdhi me shpejtësi dhe aty kuptova se çfarë kishte ndodhur. Pashë nusen që zbriti dhe e pyeta çfarë kishte ndodhur. Djemtë kishin qenë vetëm në shtëpi dhe ishin zënë në oborr. Prindërit ishin në punë në Vlorë. Fëmijët nuk kishin shkuar në shkollë sot, ndërsa doktorët më thanë se nipi erdhi i pajetë në spital”,-ka thënë gjyshi.
Një nga fqinjët e 13-vjeçarit që humbi jetën në fshatin Baltëz të Fierit, tregon momentin se si dërgoi viktimën në spital pa e ditur se ai kishte humbur jetën. Gëzimi shprehet se ngjarja është e pabesueshme. ”Pashë nënën që e kishte mbledhur me batanije dhe e çova urgjentisht në spital. Nuk arrita ta shikoja dot. Në spital ju dha ndihma e shpejtë menjëherë. Kishte gjakderdhje tek këmbët. Çova makinën për të larë. Nuk e dija që fëmija kishte humbur jetën. Jam shumë i afërt, komshinj. Nuk arrijmë dot t’i mendojmë këto gjëra”.
KOHA JONË SONDAZH

