Vrau veten në paraburgim, gruaja e 52-vjeçarit: E lashë në dorë të policisë. Dua drejtësi
Të hënën u përcoll drejt banesës së fundit. Familja e kishte denoncuar për dhunë dhe mbrëmjen e së shtunës, 52-vjeçari Tonin Tuci u vetëvra në dhomat e komisariatit të Durrësit. Të bindura që vëllai i tyre nuk ka bërë vetëvarje me lidhësen e tutave, motrat e 52-vjeçarit apelojnë për drejtësi, ndërsa bashkëshortja tregon orët e fundit me Toninin, që nga sherri me të, ndërhyrja e policisë për të shmangur acarimin e mëtejshëm të situatës në familje dhe njoftimi që mori për vdekjen e tij.
”Ishte i acaruar nën efektin e alkolit dhe për të eliminuar një sherr të mundshëm në shtëpi, njoftova policinë se nuk po e qetësoja dot. Kur shkova në polici, shefi që ishte në shërbim më thotë të marr urdhër mbrojtjeje, por i thashë jo se nuk dua ta hedh burrin në rrugë. I kërkova që vetëm ta mbajë në polici e të qetësohet për disa orë e të vijë në shtëpi. Lamë të dhënat tona, numër telefoni dhe u larguam. Në momentin që jam larguar, rreth orës 6 të pasdites, burri im ishte ulur në stolat e hyrjes kryesore të policisë. E lashë në dorë të policisë. Unë e çova për ta mbrojtur jo për ta dhunuar se e keqja do kishte ndodh në shtëpi”.
I papunë, Tonin Tuci kishte krijuar varësi ndaj alkolit dhe rritur tensionet brenda familjes. Edhe një vit më parë Liza kishte kërkuar ndihmën e policisë, por pa e kallëzuar penalisht për dhunë në familje babain e dy djemve të saj, pasi e donte pavarësisht problemeve që kishte me të në familje. Nga ana tjetër, bashkëshortja tregon edhe telefonatën ku i treguan për vdekjen e burrit.
”Unë e doja burrin tim, pavarësisht se ai pinte vazhdimisht. Në orën 11:00 të natës, ndërsa unë prisja të vinte burri në shtëpi më morën në telefon e më kërkuan të dal e të jap një deklaratë të dytë. Pse? Jo i them. Nuk dal në rrugë, eja në shtëpi. Përpara kësaj e pyes: Si është Tonini? Mirë më tha, po kur vjen në shtëpi më thotë: Të rrojnë çunat se Tonini ka vdekur. Unë s’mund ta besoja. E vërtëta është kjo, si e kamuflojnë ngjarjen është punë e tyre. E ka drejtësia në dorë. Ai donte alkoolin, po jo të vriste veten”. Motrat e 52-vjeçarit hedhin dyshime mbi fundin e trishtë dhe apelojnë që të zbardhet sa më shpejt e vërteta dhe të bëhet drejtësi. ”Ai nuk ka pas asnjë arsye me var veten. Na ka ardh bombë. Ai ka pas pi, po ka qenë shumë i dashur, i respektueshëm. Nuk e di si ka ndodh ngjarja tamam”.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, për vetëvrasjen e 52-vjeçarit brenda komisariatit të Policisë në Durrës ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, bën me dije se ka nisur hetimet për dy punonjës policie. Nga hetimet paraprake, SHÇBA-ja thekson se viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe akti i vetëvrasjes është kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje.