VRITEN 5 SHQIPTARË NË MAQEDONI, MES TYRE NJË VAJZË 8 VJEÇE

 

Nga përleshjet mes policisë dhe banorëve të Kumanovës kanë mbetur të vrarë 5 shqiptarë, mes tyre një vajzë 8-vjeçe. Deri më tani ''Al Jazeera Balkans'', konfirmon emrin e njërit prej të vrarëve, Fadil Fejzullahi. Mediet në Maqedoni raportojnë edhe për 4 të vrarë të tjerë në lagjen shqiptare të ''Trimave'' .

Reagon për situatën në Maqedoni edhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko. Ai thotë  është situatë shqetësuese duke e quajtur qeverisjen e Shkupit ''të rraskapitur'' dhe se po shkon në drejtim të paditur. Sipas tij, ata që janë në mes dhe që po paguajnë me çmim të lartë janë shqiptarët.

“Me shqetësim po ndjek situaten në Maqedoni. Në këtë shtet e ke të vështirë të bësh dallimin midis operacionit “policor” dhe atij ushtarak. Shkupi është i dënuar të prodhojë ose dialog ose të kundërtin e vet si një shembull rajonal për mirë ose keq. Kjo që po ndodh aktualisht është shqetësuese pasi qeverisja e rraskapitur e Shkupit po shkon në drejtim të paditur. Në Maqedoni kriza po merr përmasë midis një pale që nuk po qeveris dot dhe një pale qe nuk e merr dot pushtetin. Në mes janë shqiptarët që po paguajnë me çmim të lartë në mënyra të ndryshme "sallatën maqedonase”…”,  shkruan në ‘’Facebook” deputeti Majko.

Në Kumanovë që prej mëngjesit ka patur të shtëna armësh, të cilat pas disa orësh kanë pushuar. Numri i efektivëve të policisë që kanë mbetur të plagosur në Maqedoni ka shkuar në 5. Ata janë plagosur në breshërinë e armëve që filloi në orën 05:00 të mëngjesit të sotëm në Lagjen e Trimave në Maqedoni. Për shkak të tensioneve në vend është bllokuar autostrada që lidh Shkupin me Beogradin duke shkaktuar kaos në qarkullim.

Forcat speciale maqedonase kanë mundur që të rrethojnë fshatin Hotël duke bllokuar të gjitha hyrjet dhe daljet, ndërkohë aksioni po zgjerohet edhe në fshatin Likovë.

Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.  Sipas BDI-së këto veprime janë në kundërshtim të plotë me pikat strategjike të kombit shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe Luginën e Preshevës.

“Jemi të sigurt se vetëm një Maqedonia stabël dhe e sigurtë e ndihmon rajonin dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë agjendë të paracaktuar dhe në bashkëveprim me SHBA-në, BE-në, Naton-n duan ta shohin këtë vend me barazi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqe e stabilitet dhe të anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Ftojmë edhe mediat dhe opinionbërësit që të dëshmojnë përgjegjësi të lartë në këtë kohë shumë delikate si dhe të përmbahen nga nxitja e mëtejshme e situatës së rëndë. Njëkohësisht, edhe Ministria e Brendshme duhet që të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës së sigurisë dhe asaj politike”, bëri thirrje BDI.

Të shtëna me armë në Kumanovë të Maqedonisë kanë nisur  në Lagjen e Trimave duke filluar që në oërn 05:00 të mëngjesit të sotëm, ndërkohë që mësohet se këto të shtëna nuk po dëgjohen më. Në këtë lagje të Kumanovës ka ndërhyrë edhe policia.

Policët janë dërguar menjëherë në spitalin e Shkupit. Siç raportojnë mediet maqedonase mësohet se ata që po qëllojnë në ajër janë janë disa prej banorëve. Pas kësaj policia ka ndërhyrë me blinda e helikopterë. Ende nuk ka të dhëna se cilët mund të jenë personat e armatosur.

"Vendi ku është gjuajtur, është bërë shkrumb e hi. Nga ora 5 e mëngjesit filluan të shtënat, nuk e di ndërmjet kujt, por e di se tanimë dy ditë policia ka qenë e përqëndruar në këtë vend", thotë një banor për gazetën ‘’Lajm”.

SHKARKO APP