Vritet ish-polici, shkak i biri
Nëntori nisi me vrasje. Xhelal Reçi është ish-polici që u ekzekutua mëngjesin e sotëm në qytetin e Laçit. Vrasja ndodhi në orët e para të mëngjesit, në kohën që viktima po zbriste nga makina dhe ishte nisur drejt biznesit.
Mësohet se Reçi është qëlluar me dy plumba, njëri prej të cilit e ka kapur në gjoks dhe me reflekset e një polici ka tentuar t’i shpëtojë sulmit duke hyrë në një rrugicë mes dy objekteve. Plaga rezultoi vdekjeprurëse. Xhelali njihej si njeri i urtë dhe i qetë dhe kishte 15 vite që kishte lënë profesionin e policit.
Policia dyshon se 60-vjeçari është ekzekutuar për shkak të të birit të tij Besnikut, i cili njihej si problematik në zonë. Kjo është pista kryesore ku po hetohet për momentin, ndërsa po krijohen lidhjet me atentatin e dështuar për eliminimin e tij fizik të një viti më parë.
Besnik Reçi kishte krijuar konflikte me shumë persona jo vetëm në Laç. I ati si një polic në profesion, është munduar disa herë për të shuar problemet e të birit dhe ka ndërhyrë tek personat me të cilët ka pasur probleme, por siç duket nuk ia ka dalë.
Ndërkohë që një makinë e djegur u gjet disa momente më pas dhe mendohet se iu përkiste autorëve. Pas ngjarjes së rëndë policia e Lezhës, menjëherë ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.