Vr@sja e 14-vjeçarit, AMA: Mediat të shmangin identifikimet e fëmijëve apo intervistimin e tyre
Autoriteti i Mediave Audiovizive pas ngjarjes ku u vra 14-vjeçari, thekson se do të mbajë situatën nën monitorim dhe do të ketë adresime në raste kur ka shkelje, duke dhënë edhe disa këshilla në lidhje me intervistimin e fëmijëve për ngjarjen e rëndë për më tepër pa lejen e prindërve dhe psikologëve, si dhe shmangiet e komenteve apo presionit psikologjik.
”Ngjarja e rëndë, që tronditi Tiranën, ditën e hënë, më 18.11.2024, si pasojë e së cilës humbi jetën një 14-vjeçar, vazhdon të preokupojë me përparësi të gjitha mediat audiovizive, të cilat vijojnë t’i kushtojnë vëmendje, burime dhe kohë televizive si zbulimit të aspekteve të panjohura të dinamikës së ngjarjeve ashtu edhe kërkimit të shkaqeve, që e shtynë grupin e adoshelentëve drejt dhunës”, thuhet në reagimin e Autoritetit.
Po ashtu kërkohet profesionalizëm edhe nga ana e mediave në trajtimin e ngjarjes, rrethanave apo detajeve që kanë ndjeshmëri. ”Ndjeshmëria e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen, përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët informojnë për të gjatë gjithë ditës në të gjitha ekranet, duke ndihmuar sqarimin e rrethanave të ngjarjes paralelisht me hetimin e organeve ligjzbatuese. Në kushtet, kur ngjarja është këto ditë kryefjala e secilit prind dhe secilës familje, e përditshmja profesionale e medias kurrsesi s’duhet të lërë jashtë vëmendjes efektin, që prania e vazhdueshme e ekipeve të xhirimit në mjediset pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” ka mbi fëmijët dhe prindërit e shkollës”, theksohet më tej.
Në këtë kuadër, institucioni shpjegon se një numër i madh prindërish janë drejtuar për ndihmë, pasi ndjejnë presionin nga prania e mediave afër shkollës dhe përpjekjet për t’i intervistuar. ”Autoritetit të Mediave Audiovizive i janë drejtuar për ndihmë gjatë ditës së sotme një numër i konsiderueshëm prindërish, të cilët e ndiejnë veten të pafuqishëm të mbrojnë fëmijët e tyre nga presioni, që prania e mediave dhe përpjekja për të intervistuar fëmijët prodhon, presion që i shtohet gjendjes së tyre psikologjike, gjithsesi të rënduar nga trauma”.