Vr*sja e babë e bir në Shkodër, 57-vjeçari dyshohet se bashkëpunonte me policinë për…
Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe djali i tij Eduart Gurra, 31 vjeç janë viktimat e kësaj ngjarje të rëndë në fshatin Bruçaj të njësisë Pult në Dukagjin. Të dy po shkonin me fuoristradën e tyre drejt shtëpisë së djegur në Dukagjin dy ditë më parë. Ende pa mbërritur tek banesa e shkrumbuar disa persona i kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar me armë e zjarrit automatik kallashnikov duke i lënë të vdekur në vend brenda automjetit.
Ngjarja ka ndodhur tek një kthesë e padukshme në një zonë të pyllëzuar, afro 500 metër pa mbërritur tek banesa e djegur e Gjokë dhe Eduart Gurrës. Autorët i kanë zënë prit pasi kanë pasur informacionin e saktë se dy viktimat po shkonin drejt banesës së tyre të djegur dhe aty nga distanca i kanë qëlluar me breshëri plumbash automatiku duke bërë që të humbin jetën në mënyrë të menjëhershme.
Një prej pistave kryesore të këtij hetimi lidhet me dhënien e informacionit të shtetasit Gjokë Gurra për policinë e shtetit në aksionet për asgjësimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit. Gjokë Gurra para afro 20 vitesh ka qenë efektiv policie por ka ruajtur kontaktet dhe marrëdhëniet me ish-kolegët. Sipas burimeve, 57-vjeçari herë pas here ka informuar policinë e Shkodrës lidhur me parcelat e kultivuara me kanabis sativa në Dukagjin. Kjo mbetet ende një pistë hetimi e pakonfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë një tjetër pistë hetimi ku është përqendruar policia është edhe lëndët drusore ku babë e birë që mbetën të vrarë punonin prej vitesh duke i transportuar nga Dukagjini drejt Shkodrës, edhe pse kjo pistë është më pak e besueshme për grupin hetimor. Ndërkohë nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera që Gjokë Gurra dhe djali i tij mund të kenë pasur me persona të ndryshëm. 57-vjeçari ishte edhe pronar i një lokali në afërsi të drejtorisë vendore të policisë Shkodër, ku edhe banonte prej vitesh.
Autorët e kësaj ngjarje ende nuk janë identifikuar dhe policia po punon për identifikimin dhe gjetjen e tyre. Zbardhja e ngjarjes mbetet e vështirë për shkak se forcat e policisë kanë mbërritur pas 2-3 orësh sepse rruga është e amortizuar në një terren të vështirë malor, çka i ka favorizuar autorët që të kryejnë vrasjen dhe të largohen në drejtim të paditur.
(BalkanWeb)