Vr*sja e efektivit, drejtori Rrumbullaku: Ndjehem thellësisht i tronditur! Zotohem se autori do dalë para ligjit
Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka reaguar i prekur për vrasjen e efektivit të ri këtë të hënë në Fier. Ai shprehet se zotohet në emër të Policisë së Shtetit se, do të bëjë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë. ”Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë. Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se, do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë”,-thuhet në deklaratën e kryepolicit.
Deklarata e plotë
Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, që është zhytur në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit.
Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë. Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se, do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë.
Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit.
E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenojë uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku