Vuçiç hesht për krimet e luftës, mediat në Kosovë: Bezdiset nga pyetjet tona
I pranishëm në Tiranë për ”Open Balkan”, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u pyet sërish nëse shteti i tij do t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e kryera gjatë Luftës në vitet 1998-1999.
Kreu i shtetit serb, tha se sa herë që viziton Kosovën përballet me këtë pyetje nga media “Klan Kosova”. Mediat në Kosovë shkruajnë se Vuçiç u ndie i bezdisur nga kjo pyetje.
“Sa herë që unë e vizitoj Kosovën, ”Klan Kosova” më pyet për krimet e luftës. Janë kryer krime nga të dyja palët dhe këtu s’ka dyshime. Unë kam qenë kundër kriminelëve të luftës. Besoj se ata duhet të gjykohen dhe të dënohen. Duke folur për një komb që duhet të kërkojë falje një kombi tjetër do të ishte në rregull nëse faji do të ishte vetëm në njërën palë, por nuk është ky rast. E rëndësishme është të flasim për pajtimin e vërtetë dhe për hapat reale që na përafrojnë me njëri-tjetrin. Jo duke gjetur arsye dhe arsyetime për të ikur nga njëri-tjetri dhe të krijojmë armiq nga njëri-tjetri”, deklaroi preisdenti serb para mediave.