Vuçiç lider i madh/Bumçi: Rama i gatshëm ta hedhë Kosovën tutje
Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi ka komentuar Samitin e Ohrit, sipas së cilës është një mungesë marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Kosovës.
”Kosova izolohet dhe kryeministri shqiptar legjitimon këto skema që izolojnë Kosovën. Si mundet kryeministri ynë, në krah të kryeministrit serb, të thotë që Kosova është e vetëpërjashtuar? Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë, edhe sikur të ishte e vërtetë kjo gjë, nuk duhet ta thonte. Nëse njëri nga shtetet shqiptare konsideron se nisma nuk është në interesin e vet, tjetri duhet të mendojë pse gjysma tjetër e kombit ka hezitime. Serbia nuk njeh Kosovën, për çfarë tregtie të lirë do të flasim? Politika jonë ka qenë që me Serbinë flet Kosova që ka çështje për të zgjidhur. Për njohjen, genocidin etj, i zgjidh vetëm Prishtina. Rama e tejkaloi këtë vizë të kuqe dhe foli për Kosovën. Rama është sjellë në këtë mënyrë me Kosovën që në fillim. Është folur për pajtim shqiptaro-serb por ne nuk kemi për çfarë të pajtohemi me ta. Kaq shumë e tejkaloi këtë vizë të kuqe, sa edhe Thaçi, aleat i ngushtë i Ramës, tha se pajtimi kalon nga Prishtina, jo nga Tirana”,tha në ”A2Cnn”.
Ai nënvizoi gjithashtu se “projekti i ndarjes së Kosovës është një nismë që nuk mund të merrte jetë pa Edi Ramën dhe u detyrua edhe Gjermania që të mbajë qëndrim shumë të qartë, duke i vënë kapak projektit”
Sipas Bumçit Rama po i shërben vetëm vetes së tij me këtë sjellje. ”Nga marrëdhënia me Vuçiçin nuk ka fituar gjë Shqipëria, vetëm Edi Rama, pasi ai do të tregojë se është “çuni i mirë i Ballkanit”. Ai është i gatshëm që Vuçiçin ta bëjë liderin e madh dhe ta hedhë Kosovën tutje”. Bumçi kritikoi Ramën edhe në lidhje me marrëveshjet Shqipëri-Kosovë. ”Këtu bënte mbledhje qeverie dhe nga ana tjetër vendosi tarifën e Rrugës së Kombit, pa u konsultuar me qeverinë e Kosovës. Vetëm ajo rrugë e lidh Shqipërinë me Kosovën dhe këtij projekti, sa erdhi, i vuri tarifë”.