Vuçiç mohon akuzat për kërcënime ndaj Kosovës: Nuk kemi nisur asnjë përshkallëzim!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Beogradi ka kërcënuar me përshkallëzim të situatës së sigurisë në Kosovë. Në një deklaratë për mediat më 12 korrik, Vuçiç theksoi se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ushtarak dhe mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Nuk kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk kemi lëvizur asnjë makineri ushtarake. Nuk na shkon as ndërmend – ne duam të punojmë dhe të ndërtojmë,” deklaroi Vuçiç.
Deklarata e tij vjen si përgjigje ndaj pretendimeve të presidentes Osmani, e cila dy ditë më parë tha se ka “informacione të besueshme” që presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërhyrë për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, i inicuar sipas saj nga Serbia.
Duke iu referuar takimeve të fundit me diplomatë amerikanë, Vuçiç shtroi pyetjen retorike: “A mendoni se mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh?”
Ai bëri të ditur se gjatë një takimi me përfaqësuesin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, është diskutuar për çështje globale, marrëdhënie dypalëshe dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Serbia mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit. Dialogun e shohim si mënyrën e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare,” theksoi Vuçiç në një postim në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

