Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare
Presidenti aktual i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 3 prill.
Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6 për qind të votave, që i japin Vuçiçit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë.
Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IPSOS/CeSid, në bazë të 62.5 për qind të votave të përpunuara, lista “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht 43.6 për qind.
Ndërkaq, koalicioni opozitar “Të bashkuar për fitore” pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave.
Partneri i koalicionit të SNS-së, Partia Socialiste e Serbisë, sipas rezultateve paraprake, ka fituar 11.6 për qind të votave.
Koalicioni NADA pritet të fitojë 5.4 për qind, teksa koalicioni “Ne duhet” 4.3 për qind, Dveri 4 për qind dhe Zavetnici 3.9 për qind të votave./ REL