Vula shkon tek babai i saj, Argita Malltezi: Çdo derë e PD-së është e mbyllur për Bashën
Argita Malltezi, edhe sonte ishte poshtë banesës ku jeton babai i saj, Sali Berisha, i cili sot mori edhe vulën e PD-së sipas vendimit të Gjykatës së Apelit. Për të ftesa për bashkimin e PD-së është ndaj çdo demokrati dhe demokrateje, por për Bashën dera është e mbyllur.
“Mendoj që PD ka bërë gjithnjë ftesë për bashkim. Dyert janë të hapura për çdo demokrat. Basha nuk ka kontribut për këtë ditë, ka kontribut për kapjen e opozitës dhe shkatërrimin e saj në vite. Nuk duhen harruar gabimet se ndryshe përsëriten. Mendoj që i ka mbyllur vetes çdo derë”,-tha për ”A2cnn”.
E pyetur se pas kësaj a duhet të largohet Berisha si kreu i PD-së dhe t’i hapë rrugë garës së saj në krye të PD, Malltezi u përgjigj: “Unë pjesë e PD kam qenë që në ‘90. Qëndrestarët nuk luftojnë për t’u larguar në momentin që fituan një betejë. Ne fituam një betejë, kemi beteja të tjera për të fituar deri sa të fitojmë luftën, që është rrëzimi i Ramës. Pas kësaj Berisha ka thënë referendum për kryeministër”.
Pa fshehur emocionet për rikthimin e vulës së PD, Malltezi tha se ky është një vendim i një drejtësie që reflekton normalitet, përkundër vendimeve të tjera, për të cilat ajo u qëndron deklaratave për gjyqësor të kapur.