Washington Times: ISIS, gati të destabilizojë Ballkanin

 

Shteti Islamik (ISIS) po përpiqet të destabilizojë Ballkanin, i konsideruar si zona më e nxehtë e Europës dhe pasojat mund të jenë edhe më të mëdha për kontinentin dhe më gjerë.     

Alarmin e ka dhënë “Washington Times”,  e cila u referohet deklaratave të një diplomati të rëndësishëm. Sipas tij, shërbimet e inteligjencës së Kroacisë kanë zbuluar se ISIS ka vendosur një prej eksponetëve të vet me peshë në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, i cili ka për mision të rekrutojë dhe organizojë luftëtarë islamikë, që janë kthyer në Ballkan pasi kanë luftuar për ISIS, në Siri dhe Irak.

Burimi i “Washington Times” thotë se lideri i mundshëm është identifikuar dhe po mbahen nën vëzhgim edhe luftëtarët xhihadistë, që po kthehen në Ballkan. Fluksi i refugjatëve nga vendet në luftim drejt Europës favorizon mundësinë e infiltrimit të terroristëve në shtetet e Ballkanit.

Nisur nga publikime të mëparshme të ISIS, dyshohet se destabilizimi do të kryhet me anë të akteve terroriste si bomba nën makina, në shtëpi, eliminime nëpërmjet helmimit, etj.

Në një analizë të sajën mbi këtë çështje agjencia italiane e lajmeve ANSA, publikon një hartë ku publikohet strategjia e ISIS për destabilizim mbarë botëror.

Shqipëria bën pjesë tek vendet ku ISIS mendon të kryejë atentate dhe të përqendrojë forca nëpërmjet rekrutimeve. Ekonomia e dobët e disa vendeve dhe përkatësia fetare myslimane e një numri të lartë të popullsisë, janë elementë të tjerë që favorizojnë rekrutimin dhe rritjen e radikalizmit në rajon.

Agjencia Qëndrore e Inteligjencës, CIA raporton se qindra luftëtarë nga Siria e Iraku janë kthyer në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë. Shërbimi për Kërkime i Kongresit Amerikan pretendon se  luftëtarë të ISIS-it në Siri, janë 90 nga Shqipëria dhe 150 nga Kosova. Rreth 50 luftëtarë besohet se janë vrarë në fushëbeteja dhe rreth 100 të tjerë janë kthyer në vendet e lindjes në Ballkan.

SHKARKO APP