Xhaçka në Dibër me helikopterin e ushtrisë, PD publikon pamjet: Duhet të japë llogari (VIDEO)
Partia Demokratike ka publikuar sot pamjet e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka në Dibër me helikopterin ushtarak. Në një deklaratë nga selia blu, ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, akuzoi ministren se ka përdorur helikopterin e ushtrisë për qëllime elektorale.
”E vërteta është se Olta Xhaçka ka udhëtuar me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes ditën e premte. Helikopteri e ka çuar në Dibër, më pas është kthyer në Tiranë. Brenda të njëjtës ditë, ka shkuar ta marrë sërish drejtuesen politike të qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste, pasi ka bërë takime me strukturat e partisë, për qëllimi politike, elektorale, takime që nuk përputhen me përmbushjen e detyrave funksionale të saj”,-tha Vokshi.
Nga ana tjetër, ish-deputetja nënvizoi se kjo është vetëm një nga provat që PD disponon dhe fakton se Olta Xhaçka gënjeu shqiptarët, ndërsa shigjeton kryeministrin se hesht përballë këtij akti.
”Ajo ka udhëtuar me helikopter brenda ditës për takime partie, duke harxhuar të paktën 10 mijë euro, ndërkohë që ambulancat para infektivit ndizen me të shtyra. Ministrja Xhaçka ka gënjyer shqiptarët për të mbuluar shpërdorimin flagrant të detyrës prej saj, duke përdorur helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për punët e Partisë Socialiste”,-shtoi më tej Vokshi.
Ish-deputetja i kujton ministres së Mbrojtjes se do të japë llogari për shpërdorim detyre, ndërkohë që shumë shqiptarë marri lekë borxh për t’u kuruar nga Covid-i, apo jetojnë në çadra për shkak të dëmtimit nga tërmeti.