Xhaçka në takimin me homologë të rajonit në Londër: ”Open Balkan”, të jetë një nismë gjithëpërfshirëse
Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, organizuar në Londër. Ajo tha se nisma ”Ballkani i Hapur” gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Lajmi i mirë nga të gjithë takimet sot me Mbretërinë e Bashkuar, por edhe me SHBA dhe BE, është vendosmëria e tyre për të hapur një kapitull të ri të angazhimit ekonomik me rajonin tonë, duke e parë gjithnjë e më shumë atë si një hapësirë të vetme ekonomike dhe zhvillimore.
Një hapësirë gjithëpërfshirëse, siç është ajo që parashikon nisma Ballkani i Hapur, që gëzon mbështetje ndërkombëtare dhe që në gjykimin tonë duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
Që do të thotë që ne duam që pjesë e saj të bëhen edhe Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Kjo nuk do të thotë se ne mund t’i detyrojmë fqinjët tanë të bashkohen kundër vullnetit të tyre në atë që në këtë fazë është e qartë se është ende në progres.
Por kjo do të thotë se ne do të punojmë pa u lodhur për të shpjeguar nismën dhe që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen kësaj hapësire të vetme, duke u përgatitur kështu për integrim në BE”.