Xhaçka viztë zyrtare në Maqedonin e Veriut: Anëtarësimi në NATO, siguri për rajonin
Ministrja e Mbrijtjes, Olta Xhaçka ishte e pranishme ditën e sotme në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e veriut.
Ajo u prit nga kryeministri Zaev, kreu i Kuvendit Talat Xhaferri dhe homologia Shekerinska. Gjatë fjalës së saj, Xhaçka u shpreh se tani Maqedoni është vetëm një hap larg anëtarësimit në NATO dhe theksoi se pas anëtarësimit rajoni do të jetë më i sigurtë.
“Jam e kënaqur që ndodhem në Maqedoni në këtë moment. Ju tanimë jeni vetëm një hap larg anëtarësimit në NATO. Me anëtarësimin tuaj në NATO, rajoni do të jetë më stabil dhe më i sigurt. Mbështetja e Shqipërisë për Maqedoninë e Veriut, ka qenë prioritet strategjik në politikën tonë të jashtme.

Arritja e marrëveshjes me Greqinë, por edhe Ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, janë hapa që kërkojnë guxim të madh. Unë jam e lumtur që faktori politik shqiptar ka pasur rol të rëndësishëm në këto hapa. Besoj që këto zhvillime jo vetëm që kanë garantuar anëtarësimin e Maqedonisë, por edhe stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Kemi edhe shumë për të bërë dhe për të realizuar atë që është strategjik për të gjithë ne – anëtarësimi në BE”, tha ministrja Xhaçka.

Më tej Xhaçka tha se sipas saj, kërcënimet më të mëdha të një vendi janë ato të brendshme dhe jo ato të jashtme, duke vënë theksin kështu edhe në ngjarjet e fundit politike ne vend tonë.

“Siç na tregoi edhe kalvari i vështirë që përjetoi Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit, shpesh kërcënimet më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi në punën tonë, nuk janë ato të jashtme, por ato që vijnë nga brenda. Sepse fatkeqësisht, siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut, e siç po ndodh sot në Shqipëri, në vendet tona ka jo rrallë forca që për interesat e tyre të ngushta, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve apo vendeve tona, janë gati të rrezikojnë edhe stabilitetin, edhe zhvillimin, edhe të ardhmen tonë evropiane”, tha Xhaçka.

Fjala e plotë e ministres Xhaçka
E nderuar Zonja Ministre,
Të nderuar pjesëmarrës,
Jam vërtet e lumtur që pata mundësinë të takohem me homologen time, Ministren Sekerinska, në një moment kaq të rëndësishëm jo vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për Shqipërinë dhe për mbarë rajonin.
Është vërtet një lajm i bukur, që pas një rrugëtimi kaq të gjatë, me kaq shumë vështirësi, tashmë ju jeni vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në familjen më të madhe politike dhe ushtarake të historisë moderne.
Nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga Republika e Maqedonisë së Veriut është vërtet një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Nga sot, i gjithë rajoni do të jetë më i sigurt, me më shumë stabilitet, dhe unë jam e bindur, që të gjithë së bashku mund të shohim drejt së ardhmes me më shumë optimizëm.
Shqipëria e ka parë gjithmonë stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut si një nga kushtet kryesore për të garantuar sigurinë e rajonit. Në fakt, mbështetja e palëkundur ndaj fqinjëve tanë në këtë proces të vështirë ka qenë një nga objektivat kryesore strategjike të politikës sonë të jashtme. Është kjo arsyeja përse Shqipëria ishte një nga vendet e para që e ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Dhe është kjo arsyeja përse arritjen e fqinjëve tanë, ne shqiptarët, por edhe të gjithë ata që duan paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, e përjetojmë si një fitore të përbashkët.
Unë e di sesa e vështirë ka qenë rruga që ju keni bërë. Dhe dua të shpreh vlerësimin më të lartë për punën dhe vizionin perëndimor që udhëhoqi të gjithë procesin e negociatave, që kulmoi me “Marrëveshjen e Prespës”, duke i hapur rrugë anëtarësimit në NATO. Por mbi të gjitha dua të shpreh vlerësimin më të lartë për guximin që treguat gjatë këtyre negociatave delikate, duke pasur parasysh sesa e madhe ishte rezistenca ndaj asaj marrëveshje.
Arritja e marrëveshjes për emrin me Greqinë, por edhe miratimi i ndryshimeve ligjore që realizuan një nga pikat më të rëndësishme të “Marrëveshjes së Ohrit”, atë të përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut, janë padyshim vendime që kërkonin guxim.
Unë ndihem shumë mirë që faktori shqiptar, politik dhe qytetar, luajti një rol aq konstruktiv, duke u kthyer në një nga promotorët e këtyre zhvillimeve e arritjeve të jashtëzakonshme që keni shënuar në muajt e fundit. Sot, pa asnjë dyshim, janë krijuar rrethanat dhe një klimë shumë më e favorshme edhe për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një nga kushtet kryesore të integrimit të vendit tuaj në strukturat euro-atlantike, që do të jetë në vëmendjen tonë të përhershme.
Unë besoj që këto zhvillime jo vetëm që kanë garantuar sigurinë e jashtme të Maqedonisë së Veriut përmes anëtarësimit të saj në NATO, por kanë përmirësuar ndjeshëm edhe kohezionin e saj të brendshëm duke treguar në fakt, diçka që çdo qytetar i thjeshtë e ka ditur gjithmonë: qytetarët, pavarësisht etnisë,pavarësisht gjuhës apo fesë, në fakt, duan Europën, duan integrimin, duan zhvillimin, duan me shumë punë, më shumë mirëqenie.
Është e vërtetë, që pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Nato, i gjithë rajoni ynë është më i sigurt se kurrë më parë nga kërcënimet e jashtme. Por sigurisht, që kemi ende shumë punë për të bërë për të modernizuar vendet tona, për t’i evropianizuar ato, dhe për të realizuar atë që është objektivi më i rëndësishëm strategjik për të gjithë ne, anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Siç na tregoi edhe kalvari i vështirë që përjetoi Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit, shpesh kërcënimet më të mëdha me të cilat na duhet të përballemi në punën tonë, nuk janë ato të jashtme, por ato që vijnë nga brenda. Sepse fatkeqësisht, siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut, e siç po ndodh sot në Shqipëri, në vendet tona ka jo rrallë forca që për interesat e tyre të ngushta, që s’kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve apo vendeve tona, janë gati të rrezikojnë edhe stabilitetin, edhe zhvillimin, edhe të ardhmen tonë evropiane.
Por nga ana tjetër, unë jam besimplotë, që për aq kohë sa shumica e qytetarëve të vendeve tona besojnë tek ideali euro-atlantik dhe tek ato dëshira e ëndrra që përmenda më lart, rruga jonë drejt Europës, një rrugë që kalon përmes modernizimit të vendeve tona, e mbi të gjitha përmes vendosjes së sundimit të ligjit e drejtësisë, është e pandalshme dhe këto forca janë të destinuara të dështojnë. Ashtu siç ndodhi në Maqedoninë e Veriut e ashtu siç do të ndodhë edhe në Shqipëri.
Zonja Ministre,
Ju falënderoj shumë për mikpritjen e që ju dhe stafi juaj treguat për mua, personalisht, dhe për delegacionin që më shoqëron.
Takime të tilla dhe bisedat e çmuara ndihmojnë bashkëpunimin tonë dhe hedhin bazat e projekteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes.
Ne, si promotorë të politikave të dyerve të hapura për rajonin tonë, mbetemi në pritje të momentit kur Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtarja e 30të e Aleancës.
KOHA JONË SONDAZH

