Xhaferaj: Detyra si kryetar i PD Durrës dhe vlerat më çojnë në krah të çdo kandidati që vjen në emër të PD
Ferdinand Xhaferaj, kreu i degës së Partisë Demokratike në Durrës, ka prezantuar të shtunën para strukturave të partisë, njërin prej kandidatëve për kryetar të PD-së, Agron Shehajn, gjatë një takimi për platformën e Shehajt, në vazhdën e garës që po zhvillohet brenda kësaj partie për zgjedhjet e 13 qershorit.
Në një mesazh të përcjellë përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Xhaferaj ka argumentuar arsyet e këtij qëndrimi të drejtë dhe të paanshëm.
“Në një vend ku çdo ditë luftohet demokracia dhe çdo parim i saj, sigurisht që përbën lajm ndjekja e rregullave të një gare krejt legjitime. PD dhe kryetari i saj Lulzim Basha kanë luftuar gjatë opozitës, si dhe gjithë muajt e fushatës, për të kthyer sadopak normalitetin në një vend ku jemi të vjedhur nga çdo parim moral dhe etik. Detyra institucionale si kryetar i PD Durrës, vlerat e qytetit që përfaqësoj, shkollimi im si dhe eksperienca politike, më çojnë të jem në krah të çdo kandidati i cili vjen në emër të Partisë Demokratike. Garat dhe respektimi i çdo aspekti të tyre janë jo vetëm kusht për një demokraci funksionale, por edhe thelbësore për të garantuar një PD më të fortë dhe më të bashkuar pas 13 Qershorit”, u shpreh në mesazhin e tij kreu i degës së PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferraj.