Xhaferllari në Gjykatë Kushtetuese, pritet deklaratë për median

Pas dekretit të Presidenti dhe betimit para kreut të shtetit, Marsida Xhaferllari është paraqitur ambientet e Gjykatës Kushtetuese për të nisur detyrën e saj. Burimet bëjnë me dije se pak më parë ishte mbajtur një mbledhje brenda ambienteve të kësaj gjykate, ku kishin marrë pjesë anëtarët; Tusha, Toska, Papajorgji dhe Muçi. Anëtarët e GJK nuk kanë arritur të marrin një vendim lidhur me pretendimet e Arta Vorpsit për mandatin, por në bazë të ligjit kanë njohur dekretin e Presidentit që ka emëruar  Marsida Xhaferllarin anëtare të kësaj gjykate. Pak orë më vonë, GJ doli me dy qëndrime për mediat, ku theksohet fakti se po vijojnë procedurat me gjyqtarët e dekretuar nga Presienti Meta.

Deklarata e plotë e Gjykatës Kushtetuese:

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Njoftimi zyrtar/Gjykata Kushtetuese: Marsida Xhaferllari, anëtarja e GJK me kompetenca të plota

Në një tjtër njoftim për mediat, Gjykata Kushtetuese ka listuar zonjën Xhaferllari si gjyqtare me kompetenca të plota, në listën e gjyqtarëve që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:  

 

Lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në Ligj, për të qenë Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

 

Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 15.11.2019, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

  1. Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
  2. Z. Besnik Muçi, gjyqtar;
  3. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;
  4. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
  5. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Arta Vorpsi: Jam në detyrë si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese

Mëngjesin e sotëm në Gjykatën Kushtetuese mbërritën Arta Vorpsi, kandidatja e cila dërgoi betimin me postë Kreut të Shtetit pasi vulosi më parë te një noter – si dhe Marsida Xhaferllari, e cila u betua dje para Presidentit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

E kontaktuar me telefon nga RTV ORA Arta Vorpsi u shpreh nga ambientet e brendshme të Gjykatës: Jam në detyrë si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. 

Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandili pritet të ketë një dekaratë nga Gjykata Kushtetuese pasi të përfundojnë procedurat administrative, informoi gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi.

Kjo për të sqaruar nëse gjyqtare do të jetë, Arta Vorpsi, e cila ishte para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, apo Xhaferllari e cila u betua dje tek Presidenti.

Nderkohë Kuvendi pritet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar për dekretin e Presidentit mbi emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. PS ka hartuar një pr/rezolutë ku i kërkon Kuvendit të shpallë nul dekretin e Metës, dhe institucionet e tjera të mos e respektojnë.

SHKARKO APP