Xhaferri: Qeveria po fsheh provat e korrupsionit pas termetit

Banorët e Lagjes 18 në Durrës, pallatet e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, kërkojnë çertifikimin nga shteti për t’u rikthyer të qetë në banesat e tyre.

Qeveria, thonë ata, nuk ka dërguar asnjë njeri të vlerësojë situatën, ndërsa një tjetër banore kërkon siguri nga shteti që apartamenti i saj është i banueshëm dhe të rikthehet së bashku me familjen.

“Si nuk erdhi një njeri. Janë dy javë. Nuk më ka ardhur absolutiosht asnjë njeri të më shohë se çfarë problemesh kam unë në banesë. Fjeta 5 ditë në makinë, sot unë kam hyrë në shtëpi, por jam e pasigurt aty ku fle, sepse nuk e di, unë dua një njeri të shtetit të ma çertifikojë që unë të hyj dhe të fle rehat aty. Tek pallati 2000 Lagjia 18, 30 metra nga pallati 6 katësh që u rrënua, ka probleme sa të duash, asnjë nuk ka ardhur ta çertifikojë”, tha një prej banoreve.

“Shtet hajdut se vetëm po vjedhin i pash tek ndihmat se çfarë bënin, duke i marrë me makina. Na kanë lënë kështu. të shkoj në shtëpinë time në atë gërmadhën time, dua të jetoj në shtëpinë time. Erdhi një ekspert tha, është i pabanueshëm. vunë kryqin e verdhë dhe shirit. Dua një zgjidhje, të më japin OK-in, të futem në pallat”, thotë një tjetër zonjë.

Kryetari i PD në Durrës Ferdinand Xhaferri, teksa u takua me banorët e Durrësit, rikthesoi se zgjidhja është plani që opozita ka propozuar për masat urgjente që duhen marrë për lehtësimin e këtyre problemeve të banorëve të dëmtuar nga tërmeti.

“Qytetarët janë shumë të axhituar. Kanë dy javë që i tallin me copa letre dhe e vërteta është kjo, po nuk pate mik ose fle në makinë, ose në banesën e pasigurt. I vetmi vendim konkret i Edi Ramës ka qenë porosia që i dha Këshillit Bashkiak të Durrësit që të emërojë njeriun e Vangjush Dakos në krye të Bashkisë. Kjo tregon se axhenda e qytetarëve nuk përputhet me axhendën e qeverisë”, tha Xhaferri.

Xhaferri theksoi se qytetarët duan siguri për banesat e tyre ndërsa qeveria vrapon për të fshehur provat.

“Shohim qeveritarët dhe z.Rama që lëvizin lart e poshtë për të përcjellë mesazhin sikur qeveria po mundohet të jetë pranë të gjithëve por në fakt qeveria nuk i gjendet pranë askërkujt. Qytetarët duan që të vendoset se kush janë përgjegjësit e masakrës qeveritare ndërsa shohin qeverinë që vrapon për të marrë veprime për të prishur, për të fshehur gjurmët. Kemi lagjen 18, por edhe lagjen 4, lagjen 5, lagjen 6. Ka një panik shumë të madh sepse ato banesa që konsiderohen zona të mira qytetarët janë në panik sepse thonë që KÇK-ja qeveritare po përgatitet që t’u prishë banesat dhe t’i strehojnë në periferi të qytetit. Zoti Rama duhet të japë një përgjigje këtij shqetësimi”, tha Xhaferri.

SHKARKO APP