Xhaka kundër Xhakës

 

Nga Enver Robelli.

Kur në fillim të tetorit Shqipëria u kualifikua në Kampionatin Europian të Futbollit, atmosfera mes Mitrovicës dhe Sarandës ishte e zjarrtë. Shqipëria u ngjit në qiellin e futbollit. Shqipëria? Ai vendi i vogël i Ballkanit që përherë ishte autsajder në fushën e blertë, ai vendi që sa herë luante i nxiste reporterët e futbollit të shkruanin ca vargje shpotitëse, për shembull kur humbte 12 me 0 kundër Hungarisë, siç bëri vaki në vitin 1950. Sipas një legjende futbolli u bë i njohur në Shqipëri në fillim të shekullit 20­të, kur në Shkodër erdhi për vizitë një prift nga Anglia dhe vizitoi Kolegjin Saverian. Ai ua shpjegoi teologëve të ardhshëm rregullat e futbollit. Në valixhe prifti kishte një top si dhuratë. Por, as ky top nuk bëri punë: bijtë e shqipes në njëqind vitet e fundit nuk kanë marrë pjesë në asnjë turnir të rëndësishëm të futbollit. Ndërkohë gjërat kanë ndryshuar. Shqipëria, një vend mes alpeve dhe Adriatikut, është hapur ndaj botës që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 90­të. Qindra­mijëra shqiptarë kanë emigruar në Europën perëndimore, ata dërgojnë para në atdheun e tyre, ata kujdesen që kuzhina italiane të jetë gjithkund e pranishme – dhe disa prej tyre ndikojnë që Shqipëria të përparojë në fushën e futbollit. Për reprezentacionin shqiptar luajnë dhjetë shqiptarë, të cilët janë rritur në Zvicër. Shqiptarë nga Shqipëria janë të paktët prej tyre. Talente të rinj si Taulant Xhaka, Shkelzen Gashi apo Burim Kukeli rrjedhin nga Kosova e populluar dhe dominuar nga shqiptarët. Ata janë djem emigrantësh, të cilët dikur kanë gjetur në Zvicër një atdhe të ri. «Këta fëmijë të Europës», thotë publicisti shqiptar Mero Baze, «na tregojnë se ç’kemi arritur falë vlerave perëndimore pas shumë dekadave të izolimit: tani mund të matemi me ekipe të mëdha europiane». Pas shortit për Kampionatin Europian të Futbollit në opinionin shqiptar mbretëroi një atmosferë mes habisë dhe pëshpëritjes. Faktin që futbollistë me rrënjë shqiptare dhe me sfond helvetik luajnë në grupin e njëjtë shumë njerëz e shohin si mrekulli të integrimit. Për kombëtaren zvicerane luajnë gjashtë shqiptarë, mes tyre Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri. Në Francë do të zhvillohet një duel i diasporës shqiptaro­zvicerane: Xhaka kundër Xhakës. Ky duel të do të jetë – kjo dihet tashmë – një përplasje emocionesh. Në mediumet sociale mbretëron më shumë një kureshtje optimiste sa i përket ndeshjes mes Zvicrës dhe Shqipërisë. Futbollistët shqiptarë, të cilët kanë vendosur të luajnë për Zvicrën, deri më tani nuk janë quajtur tradhtarë nga fansat shqiptarë, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën. Kjo mund të ndryshojë deri në verën e vitit 2016.

Shefi i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, një person që dyshohet për korrupsion dhe përqeshet nga lojtarët për këpucët e tij në formë të sqepit të patës, tha se do të dëshironte që Zvicra të mos ishte kundërshtare e Shqipërisë që në fillim të Kampionatit Europian të Futbollit. Tani puna është si është dhe Duka shpreson se Shqipëria do të arrijë sukses të madh në Francë. Pak me modest dhe më realist u tregua Amir Rrahmani, një futbollist i lindur në Prishtinë, i cili luan për përfaqësuesen e Shqipërisë dhe për «RNK Split». Ai tha se grupi me të cilin do të ballafaqohet Shqipëria në Francë është i vështirë: «Franca, Zvicra dhe Rumania janë fuqi europiane të futbollit. Por, ne nuk kemi çfarë të humbasim». Futbollistë të tjerë që luajnë në Zvicër për Super League pas shortit u shprehën të rezervuar. Me gjasë ata nuk duan t’i zgjojnë nga gjumi ujqit e fjetur nacionalistë, të cilët mund t’i akuzojnë se po luajnë si mercenarë për Zvicrën.

Grindja mbi këtë temë, thotë gazetari Mero Baze, zbulon «ekzistencën e një vendi ende të varfër, të pashpresë dhe të pazhvilluar që bën debat për vlera që nuk i ka prodhuar vetë». Kjo është e vërteta mbase e plotë: fansat radikalë shqiptarë etiketojnë futbollistët që luajnë për Zvicrën, e cila i ka përgatitur këta artistë të topit për të prekur majat e futbollit europian. Shqipëria dhe shqiptarët vetëm duhet të jenë mirënjohës që disa prej tyre kanë vendosur të luajnë për reprezentacionin shqiptar. 

SHKARKO APP