Xhamia e Namazgjasë gati natën e Kadrit? Nënkryetari i KMSH: Shpresojmë të hapet këtë Ramazan

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë pret që hapja e xhamisë së Namazgjasë të jetë gati për natën e Kadrit. Taulant Bica, nënkryetar i komunitetit thotë se punimeve po u jepet dora e fundit dhe shpresa është që ajo të hapet brenda këtij muaji të shenjtë.

“Shpresoj që ky vit të jetë ai vit i shumë pritur i hapjes së xhamisë së Namazgjasë. Punimet kanë arritur në përfundim. Po bëhen ato zbukurimet e fundit. Si nga pjesa e brendshme dhe jashtme. Shpresohet që ky Ramazan të jetë ai Ramazan i shumë pritur dhe ishalla mos nata e Kadrit mund të na gjejë me një xhami të hapur”, shprehet Bica.

Xhamia e Namazgjasë në kryeqytet është një investim me vlerë 30 milionë euro nga Komuniteti Mysliman i Turqisë. Ajo duhet të hapte dyert për besimtarët dhe të këndohej ezani i parë që në vitin 2018, dy vite pas nisjes së punimeve po kjo nuk u realizua. Në vitin 2022 u diskutua që xhamia më e madhe në Ballkan të hapte dyert për besimtarët, pasi të inaugurohej nga presidenti turk Erdogan.

SHKARKO APP