Xhelal Mziu: Brenda 2016-ës, Kamza 24 orë furnizim me ujë

 

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, inspektoi punimet e projektit të ujësjellës-kanalizimeve. Ky projekt madhor, me zbatimin e tij, do të bëjë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të qytetarëve të Kamzës si dhe cilësia e shërbimi do të ketë standarde bashkëkohore. Deklarata është bërë nga vetë kryebashkiaku Mziu, i cili është shprehur gjithashtu i sigurt se projekti do të përfundojë brenda afateve kohore, duke parë edhe ecurinë e punimeve të deritanishme. Megjithatë, në bisedë me përfaqësuesit dhe inxhinierët e kompanisë zbatuese të projektit, kreu i Bashkisë ka kërkuar një angazhim maksimal, në mënyrë që ritmet e punës të jenë edhe më të shpejta. 

Kjo, me qëllim që qytetarët e Kamzës ta kenë sa më shpejt këtë shërbim, sipas të gjitha standardeve. Ky është një tjetër premtim që realizohet në Bashkinë Kamëz nën drejtimin e z. Mziu. Kujtojmë që në tetë vite në Kamëz kanë marrë jetë qindra projekte në fusha të rëndësishme dhe jetike për banorët e qytetit, si në infrastrukturën rrugore, në kanalizime, në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit, në shëndetësi, si dhe në shumë fusha të tjera. Gjatë inspektimit të punimeve z.Mziu pohoi se në këtë fazë të parë të projektit, i cili ka tri të tilla, ritmet janë të shpejta.

“Ky është projekti më strategjik i qytetit të Kamzës, është një projekt të cilin është dashur shumë vite për ta përfituar. Është faza e parë e këtij projekti nga tri fazat e tij. Në këtë fazë të parë, e cila ka një afat prej 18 muajsh dhe një financim prej 12 milionë eurosh, po avancohet me ritme të shpejta dhe sipas këtij trendi punimesh, jam i sigurt që do të mbyllet jo vetëm brenda afatit kohor, por edhe më shpejt sesa ishte planifikuar dhe kjo ka ardhur për shkak të seriozitetit të kompanisë e cila po merret me këtë investim, po edhe për shkak të bashkëpunimit të Bashkisë për t’i krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për ta implementuar sa më shpejt këtë projekt”, – u shpreh kryebashkiaku Mziu, i cili theksoi se zbatimi i këtij projekti bën të mundur furnizimin me ujë të pijshëm të më shumë sesa 70 për qind të qytetarëve të Kamzës, duke shprehur edhe vlerësimet e tij për Bankën për Zhvillim të Gjermanisë ose KfW.

“Ky financim bën të mundur që më shumë sesa 70 për qind e qytetarëve të Kamzës të furnizohen me ujë, madje 24 orë, dhe, së dyti, ky financim tregon edhe një herë performancën e Bashkisë dhe të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Kamzës, e cila bindi donatorin e këtij financimi, siç është Bashkimi Evropian, për ta financuar këtë projekt, por ndërkohë jemi shumë të kënaqur edhe me KfW-në, ose Banka për Zhvillim e Gjermanisë, për partneritetin që ne kemi krijuar, e cila po e ndjek në mënyrën më korrekte për ta implementuar sa më shpejt dhe për të bërë financimin në ato akse ku dendësia e qytetarëve është më e madhe”, – ishin fjalët e z. Mziu. Duke folur për dy fazat e tjera, ai tha se ato kanë të bëjnë me rrjetin e kanalizimeve dhe me ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza. Gjithashtu, ai shtoi se po negociohet për këto dy faza, duke deklaruar se Bashkia është mjaft në avantazh për t’i përfituar as më shpejt. Sipas z. Mziu, përfundimi i projektit do të bëjë të mundur jo vetëm që qytetit të ketë rrjet furnizimi me ujë 24 orë, por të ketë edhe rrjet kanalizimesh, madje edhe impiantin e përpunimit të ujërave të zeza sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.Kompania zbatuese e projektit, “Strabag”, ka shtrirë punimet në disa zona të qytetit, si në rrugën “Demokracia”, në Bathore, përgjatë rrugëve “Drini” dhe “Gjallica”, në rrugën “Skënderbeu” etj. Brenda vitit 2016 pritet që projekti të përfundojë dhe qytetarët e Kamzës të kenë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm me cilësi bashkëkohore dhe në 24 orë. Ky projekt ka një vlerë prej më shumë sesa 55 milionë euro. Faza e parë e këtij projekti ka një vlerë prej më shumë sesa 12 milionë euro. 

SHKARKO APP