Xhelal Mziu përmend Berishën në mbledhjen e Kryesisë: Të mos i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit
Në mbledhjen e parë të Kryesisë së PD-së pa Lulzim Bashën si kryetar, deputeti Xhelal Mziu sugjeroi që të kenë një komision të përbashkët dhe të mos i bëjnë karshillëk njëri-tjetrit. Ai përmendi që ”Foltorja” e Sali Berishës ka nisur organizim në të gjitha degët.
”Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’i paraprirë zgjedhjeve të 2023. Rezultati i 6 marsit foli për shumicë në anën tjetër. As ne, as ata nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.
Nëse kthehen zgjedhjet 2023, do ishte vrastare për PD. Duhet të gjejmë mënyrë për tu bashkuar. Nuk e gjykoj që data 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që t’i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit. Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje.
Zgjidhja gjendet duke patur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu do të vazhdojmë të mbetemi të papërfaqësuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD. Pra ky grup i përbashkët të garantojë që nuk ka vend për triumfalizëm”.