Yee-Bashës: Në cdo bashki do të ketë vëzhgues nga SHBA

 

Ditën e zgjedhjeve të 21 qershorit, vëzhguesit e Ambasadës amerikane në Tiranë do të jenë prezent dhe do të monitorojnë proçesin në të gjitha Bashkitë e vendit.

Garancia i është dhënë Kreut demokrat Lulzim Basha nga zv.Ndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Yee gjatë takimit në selinë e PD.

Gjatë diskutimeve mbi situatën zgjedhore, Basha ngriti një sërë shqetësimesh për përpjekjet e vazhdueshme të mazhorancës për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve.

“Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat përmes falsifikimit të kartave të identitetit e shtimit të votuesve në zona të ndryshme të vendit, fakte të cilat janë bërë publike dhe çuar para drejtësisë, konkretisht në Durrës dhe në Kavajë”.

Kryetari i PD-së shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike gjatë tubimeve elektorale.

Sipas kreut të demokratëve është e dënueshme dhe e papranueshme gjuha fyese e Kryeministrit ndaj kandidatëve të opozitës dhe presioni e kërcënimet që ai u bën qytetarëve, kur thotë se do të bllokojë fondet nëse nuk votojnë kandidatët e tij.

Po ashtu, u denoncuan edhe rastet e vendosjes së qeverisë dhe aseteve të saj në shërbim të kandidatëve të majtë, si një shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor.

Në fokus të diskutimit mes Bashës dhe zyrtarit amerikan ishte edhe procesi i dekriminalizimit. Kryetari i Partisë Demokratike ndau shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike.

“Me gjithë angazhimin e Partisë Demokratike ka mungesë vullneti nga ana e mazhorancës, për të realizuar procesin e dekriminalizimit e cila vazhdon të promovojë persona me precedentë kriminalë të cilët janë sot pjese e garës për kryetarë bashkie. Për Partinë Demokratike është më e rëndësishme pastërtia e figurës së kandidatit sesa kalkulimet elektorale, gjë që u vlerësua si një standard i lartë, vendosur nga Partia Demokratike”.

Zyrtarët e lartë amerikanë përgëzuan z. Basha për hapat konkretë dhe vullnetin e treguar në një vendimmarrje të guximshme për të çuar përpara procesin e dekriminalizimit.

SHKARKO APP