Ylli Manjani: Një këshillë miqësore për të gjithë ata që kanë vuajtur ose kanë parë dhunën e policisë
Nga Ylli Manjani
Një këshillë miqsore, për të gjithë ata që kanë vuajtur ose kanë parë dhunën e policisë:
Denoncojeni në Prokurori. Nuk mjafton denoncimi publik, duhet dhe denoncimi ligjor i krimit. Rrahja ndaj çdo personi që bën policia, në rrugë, furgon apo komisariat quhet torturë dhe trajtim ç’njerzor. Është krim dhe dënohet sipas Kodit Penal.
E kuptoj që besimi tek drejtësia është në nivelet e inekzistenës, por është gjithmonë më mirë të denoncohet dhuna dhe idealisht edhe dhunuesit shtetërorë, me emër mbiemër. Denonconi çkeni hequr, apo çkeni parë. Në keni prova aq më mirë, në keni dëshmitarë prap është mirë.
Bëni ekspertizë mjeko ligjore se plagët nuk fshihen kollaj. Por bëjeni sa më shpejt këtë gjë.
Konsultohuni me ekspertë të IT, sepse ata do t’u tregojnë si provohet ndërhyrja e dhunshme në aparatet celularë apo kamerat digjitale.
Avokatët penalistë janë të mirë, ju siguroj për këtë gjë. Kërkoni ndihmën e tyre dhe do ta gjeni.
Për fat (sdi ç’ngjyrë ti vë këtij fati) partitë as dënojnë dhunë e as mbrojnë të dhunuarit… Ndaj lërini mënjanë për një moment.
Bëjeni një përpjekje sepse me pak, shumë pak prova horrat mund të kapen gafil. E kur kapen gafil, fillojnë e hanë njëri-tjetrin. Shiheni se si po u bien horrat e drogës, një e nga një.
Por edhe nëse drejtësia nuk ju përgjigjet, të jeni të bindur se një ditë do përgjigjet edhe për ata që nuk japin sot përgjigje.
Unë them DENONCOJENI DHUNËN! Jo vetëm në media.
Bëjini një shërbim afatgjatë publikut, jo thjesht lajmeve të ditës. Këto të fundit harrohen shpejt.