Ylli Ndroqi: ”Për sondazhin ka pasur edhe kërcënime edhe abuzime, por unë them të vertetën”

 

Drejtori i IPR Marketing, Antonio Notto, presidenti i Ora News Ylli Ndroqi, drejtori i Përgjithshëm i Ora News Ylli Rakipi dhe drejtoresha e informacionit e këtij televizioni Ilva Tare ndodhen në një konferencë për shtyp në lidhje me sondazhet dhe Exit-Pollin e 21 Qershorit.

Presidenti i RTV ‘Ora News’ Ylli Ndroqi vuri theksin tek detyrimi ‘t’i them publikut shqiptar të vërtetën edhe kur politikës nuk i pëlqen.

Drejtori i IPR Marketing, Antonio Notto falenderoi popullin shqiptar për përgjigjet e sinqerta që dhanë duke ndihmuar në saktësinë.

Antonio Notto: “Vetë politikanët që sulmuan sondazhet, tani kanë kuptuar që sondazhet u vlejnë atyre. Po të kishin porositur sondazhe ka të ngjarë që ata të kishin kuptuar më shumë nga realiteti dhe do të zhvillonin një fushatë zgjedhore shumë më të kujdeshme ndaj qytetarëve.”

Lutfi Dervishi:  Ju rrëshqiti pak Durrësi në Exit Poll?

Antonio Notto: Durrësi përfaqëson mesataren. Në Shkodër e Tiranë përfaqësuan një saktësi të madhe. Ne nisemi dhe nga një gabim statistikor që qëndron në 2-4 % dhe ishim brenda këtij  marzhi gabimi. Gjithashtu në Durrës kemi pasur dhe probleme pasi njerëzit tanë u larguan nga QV dhe nuk patëm mundësi të merrnim kampionë nga të gjitha QV.

Ylli Ndroqi: Kam detyrim ti them publikut të vërtetën dhe kur politikës s’i pëlqen

Ylli Ndroqi: ” Jam sot para jush për të mbajtur një premtim publik dhe për të ndarë me ju suksesin e sondazheve dhe të exit-poll organizuar nga IPR Marketing dhe RTV Ora News për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Unë e kam mësuar me një kosto të lartë rëndësinë e sondazheve, me një shoqëri, politika e së cilës ende nuk i ka përqafuar metodat bashkëkohore e ndërkombëtare të matjes së prirjeve të opinionit publik. Brenda kësaj kostoje, ka patur vlerësime dhe reagime abuzive madje disa kanë qenë dhe qesharake, por sot nuk do flas për asnjë pre tyre. Sot bashkë me mikun tim Antonio Notto dua të flas për publikun shqiptar të cilit i kam shërbyer që ditën e parë e do t’i shërbej deri ditën e fundit. Për publikun shqiptar ndaj të cilit kam detyrimin për ta informuar dhe për t’i thënë të vërtetën dhe e vërteta është se politikës shqiptare nuk i pëlqen kur i thua të vërtetën. Por misioni im dhe medias që drejtoj është të mbetem shërbëtor i interesave të qytetarëve shqiptarë që informohen në Ora News për rezultatet në kutinë e votimit. Së bashku me IPR Marketing, Ora News për tre palë zgjedhje me radhë e ka kthyer në traditë matjen e opinionit publik nëpërmjet sondazheve. Saktësia, transparenca dhe profesionalizmi i IPR Marketing kanë bërë të mundur që Ora News të konsiderohet si vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare me marrjen përpsipër të financimit dhe publikimit të sondazheve të vetme të besueshme në Shqipëri. Sot IPR Marketing dhe Ora News ndjehen më përgjegjës për ta konsoliduar në të ardhmen këtu kulturë të re bashkëkohore, edhe për publikun shqiptar që ka ditur gjithmonë të refuzojë sulmet e politikës dhe të na ndjekë me besnikëri në sfidat tona për të qenë lider në tregun e sondazheve në Shqipëri. Falemenderit publikut shqiptar por edhe atyre që e sulmuan këtë sondazh sepse i treguan shqiptarëve se kush është realisht në shërbim të tyre. Në çdo zgjedhje dhe çdo hap do të jemi gjithmonë në shërbim të publikut dhe në krah të tij. Me këto zgjedhje treguam se fituesi i vërtetë i zgjedhjeve në Shqipëri, ishte IPR Marketing dhe RTV Ora News.

SHKARKO APP