Ylli Pango: Në 45 vjet kemi ngrënë një “knockdown”. Ka qenë një komunizëm bastard
Profesori i shkencave psikologjike Ylli Pango, tha në emisionin “Arnautistan” se nga një anë ka shushatje dhe budallallëk, dhe nga ana tjetër narcizëm kolektiv dhe komplekse inferioriteti ndaj të huajve. Pango tha se në 45 vite komunizëm pësuam një “knockdown” si shoqëri, nga i cili jemi ende të trullosur ose në gjendje haluçinante.
”Ndryshe nga shoqëria e Kosovës, ne nuk e patëm dramën goditje të menjëhershme. Ne e hëngrëm karremin gradualisht. Filluam në një periudhë varfërie të jashtëzakonshme, pastaj kaluam në diktaturë, ku në 45 vjet u injektuan nënshtrimi, shushatja, izolimi, mosnjohja e botës, sa edhe sot vazhdon të ketë megalomanë, njerëz në delir, që flasin për madhështinë, për aftësitë tona të jashtëzakonshme, gjuhën tonë si gjuhë e parë.
Njëri krah është i shushatjes, ose budallallëkut. Ka pastaj lloje të tjera pa fund, ka narcisizëm kolektiv të paparë, komplekse inferioriteti ndaj të huajve. Ne kemi ngrënë një knockdown të jashtëzakonshëm në 45 vjet dhe jemi akoma të trullosur, të përgjumur, dhe një pjesë e mirë e shoqërisë janë në gjendje haluçinante.
Vetëm kompleksi i të qenit me biografi të keqe, ka krijuar një kompleks që e kam krahasuar me turbekulozin. Njerëzit ndiheshin të prekur. E kujton si thoshin, është i prekur në biografi. Ky kompleks të shoqëron me vite të tëra, mos më dënojnë, mos më syrgjynosur. Ka qenë një traumë kolektive, që njerëzit që s’e kanë jetuar atë periudhë e kujtojnë me një lloj indiference. Ka qenë një komunizëm bastard, primitiv, anadollak. Një miks mes njerëzve që edhe me komunizmin teorik shkencor s’kishin asgjë të përbashkët”.
KOHA JONË SONDAZH

